Xhubleta në muzeun historik, veshjet e grave shqiptare ekspozohen në Shkodër

schedule14:28 - 14 Mars, 2021

schedule 14:28 - 14 Mars, 2021

Dosja e saj voluminoze tashmë është përgatitur dhe po dërgohet në UNESCO, për tu ruajtur si një vlerë e jashtëzakonshme për trevën e Ballkanit.

Në muzeun historik të Shkodrës në sallën e pinakotekës janë ekspozuar disa Xhubleta dhe aksesorët e tyre. Një mjeshtri e radhë e punimit të kësaj veshje, që është ndër më të hershmet në këtë pjesë të Ballkanit…

” Përfaqëson jo vetëm veshjen e gruas malësore, por edhe identitetin e saj në ato zona aq të vështira. Jo vetëm se jemi në një moment të rëndësishëm të përgatitjes së dosjes për në UNESCO dhe ne jemi një nga institucionet pjesë e punës së përpilimit të dosjes. Por rëndësia e kësaj veshje në atë që janë ambiente aq të vështira të veriut shqiptar. Pra rëndësia e gruas në identitetin  e saj, e bazuar kjo në këtë veshje kaq të rëndësishme, veshje kryevepër“, ka thënë drejtoresha e Muzeut historik të Shkodrës “Oso Kuka”, AmilaGjyrezi.

Xhubleta një veshje sa mistike aq edhe mjeshtërore është punuar nga gratë dhe vajzat e malësive të veriut shqiptar. historiani dhe studiuesi në muzeun historik të Shkodrës Ndriçim Mlika thotë se xhubleta vjen nga zonat bregdetare por që me kalimin e kohës është ruajtur në zonat më konservatore siç është malësia e mbi Shkodres.

“Është unike, mund të themi se në territorin ballkanik kjo veshje përdorët vetëm në zonën e Malësisë së madhe, në zonën e Dukagjinit dhe pjesërisht në zonën e Pukës. Nuk e përdor absolutisht asnjë zonë tjetër. Është një veshje e cila pasqyron stade shumë të hershme të njerëzimit. Mendohet që rrjedh nga një popullsi bregdetare e antikitetit që më vonë ka ardhë duke humb në zona bregdetare por ka ardhur duke u konservuar në zona më konservatore siç janë zonat malore”, ka thënë Ndriçim Mlika.

Në fondin e Muzeut Historik të Shkodrës ndodhen rreth 18 xhubleta që datojnë nga fundi i viteve 1800 dhe fillimi i viteve 1900, dhe një sërë aksesorësh të rëndësishëm….

” Kemi disa xhubleta, disa janë në gjendje shumë të mirë, disa janë në gjendje më pak të mirë, sepse nuk diskutohet sepse tekstili, leshi me kalimin e viteve, do restaurim do mirmbajtur sepse prishet….Ne kemi edhe rreth 18 xhubleta këtu janë ekspozuar tre, si Xhubleta e Dukagjinit dhe xhubleta e malësisë së madhe, për gratë më të rritura por edhe atyre më të reja. Dallimi mes Xhubletës së Dukagjnit dhe të Malësisë së madhe është jo vetëm tek forma, te forma e këmbanës dhe qendismat”, ka thënë Gjyrezi

Teknikat e përdorura për punimin e xhubletës janë të veçanta.

“Punë shumë e vështirë e bërë me dorë, si teknikë e pa përsëritshme. Punimi i xhubletës është një teknikë që akoma sot nuk përsëritet, është e pa përsëritshme. Një teknikë e qëndisjes në dorë me mjaft simbolikë, siç shohim shqiponjën ose bufin, dhe teknika e punimit të leshit me rrypa rrypa, që ishte e famshme në atë kohë por që sot e kësaj dite nuk është ribërë”, është shprehur ajo.

“Ajo që vëmë re është përdorimi me mjeshtëri i të zezës në të zezë. Një copë e zezë është qendisur me fije të zeza dhe ka dhënë një pamje shumë të bukur”

Si veshje e përdorimit të përditshëm në malësitë e Alpeve Shqiptare, xhubleta erdhi deri në vitet 1950 -1960. Por, pas kësaj periudhe, qeveria komuniste e ndaloi përdorimin e saj në emër të emancipimit të grave dhe vajzave. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!