Zbulimi i agjentëve iranianë që kishin planifikuar sulme ndaj muxhahedinëve të MEK në Tiranë tërhoqi mjaft vëmendje dje nisur edhe nga detajet që publikoi policia.
Sipas kreu të Policisë së Shtetit, agjentët iranianë kishin planifikuar që ta kryenin sulmin ditën e Sulltan Novruzit, ndërkohë që dy prej tyre i ishin paraqitur kreut të Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, Baba Mondit, si gazetarë.
Lidhur me këtë ngjarje, eksperti i sigurisë Xhavit Shala tha në emisionin “ABC-ja e mëngjësit” sot në Abc News se publikimi i emrave të agjentëve e ka neutralizuar misionin e tyre në Shqipëri.
“Ata nuk e fshehin që janë pjesë e strukturave shtetërore. Publikimi i emrave të tyre e ka neutralizuar aktivitetin e tyre. Ata mund të kenë aktivitet me emra të tjerë në forma të tjera, por këta që u nxorrën janë neutralizuar”, tha Shala duke shtuar se me ardhjen e muxhahedinëve të MEK në Shqipëri pritej edhe shtimi i aktivitetit të agjenturës iraniane në vendin tonë.
“Nuk zgjati shumë, rreth tre vjet dhe ndodhi”, theksoi ai duke shtuar se veprimtaria e shërbimeve shqiptare bëhet e koordinuar me atë të aletëve sa i përket çështjeve të sigurisë. /abcnews.al