Xhama të thyer, dyer të “shqyera”… selia e PD “skenë krimi”, çfarë ka mbetur pas protestës

schedule22:30 - 8 Janar, 2022

schedule 22:30 - 8 Janar, 2022

Larg imagjinatës, selia e Partisë Demokratike pas protestës së thirrur nga ish kryeministri Sali Berisha u kthye në skenë krimi.

Fortesa e PD-së ishte e rrethuar në të katërta anët e saj. Protestues dhe policisë. Këta të fundit qëndruan në gadishmëri disa metra lart selisë blu. FNSH dhe RENEA u pozicionuan në perimetrin mes Parlamentit dhe Akademisë së Shkencave, rrugë që të çojnë drejt selisë së PD-së.

Aty qëndronte e parkuar edhe makina e Lulzim Bashës. Garda e Republikës kishte bërë gati një plan për evakuimin e tij, në rast se do të ishte e nevojshme, duke përdorur një rrugë të sigurt kalimi mes PD-së dhe Parlamentit.

Rreth 60 minuta pas tentativave të protestuesve për të uzurpuar në zyrën e kreut aktual të PD-së, Lulzim Basha së bashku me deputetët e tij kërkuan ndihmën e policisë për t’u mbrojtur nga demokratët e tjerë protestues, me argumentin se u rrezikohej jeta.

Shtëllungat e gazit lotsjellës dhe botet me ujë të hedhura nga policia, shpërndanë protestuesit.

Ndërhyrja e bluve u bë në pjesën e pasme ku ishte pozicionuar më herët policia, në pritje të sinjalit të Lulzim Bashës, sipas drejtorit të Policisë së Tiranës.

Selisë iu vendos shiriti i verdh. Për dsa orë me radhë, grupi hetimor mblodhi provat në vendngjarje. Shenja gishtash, serverin e kamerave të sigurisë, si dhe çdo provë që do të identifikojë protestuesit që shkaktuan dhunë. Hetimet do të kryesohen nga kryeprokurorja e Tiranës Elisabeta Imeraj dhe prokurori Elio Mazreku.

Por, në një kohë që hetuesit mblidhnin provat, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi, i kërkonte policisë të lejonte mediat të filmonin brenda selisë. Ky veprim nuk u pranua prej tyre për aq kohë sa e konsideronin skenë krimi.

Nga përplasjet dhe sendet e forta u lënduan disa protestues, një pjesë e tyre përfunduan në spital. Mbi 30 protestues u shoqëruan në polici, si persona që kryen akte dhune e shkatërrim prone. Ndërsa të paktën 10 të shoqëruar të tjerë janë mbështetës së Bashës e ndodheshin brenda selisë së PD-së. /abcnews.al