“Xhaka sallaks i fortë, fiks për Conten. Problemi? Një të verdhë e ka në xhep pa nisur”

schedule12:58 - 21 Dhjetor, 2020

schedule 12:58 - 21 Dhjetor, 2020

Christian Eriksen po pret merkaton e janarit për t’u larguar nga Interi. Aventura për t’u harruar kjo në Itali për mesfushorin danez, i cili nuk gëzon aspak besimin e Antonio Contes. Në verë do të luhet Europiani dhe fantazisti kërkon minuta për të qenë sa më në formë për kompeticionin e rëndësishëm, minuta që pritet t’i marrë larg Milanos zikaltër.

Arsenali është një nga klubet e interesuara për të, teksa qarkullojnë zëra për një shkëmbim midis tij dhe Granit Xhakës. Conte do e mirëpriste lojtarin me origjinë shqiptare. Në lidhje me këtë operacion merkato ka folur Paolo Di Canio, ish-sulmuesi i njohur italian. “Nëse dëshiron ta nisësh ndeshjen 1-0 me kartonë të verdhe, direkt nga tuneli, dakord.

 

Paolo Di Canio

Sigurisht që Xhaka është më i përshtatshëm për Interin krahasuar me Eriksen. Ai është një sallaks i fortë dhe i ashpër, ndonjëherë edhe më shumë seç duhet, dallohet nga ndëshkimet me të verdha që ka marrë në Premier. Ky shkëmbim do të ishte i mirë për Interin, duke marrë parasysh stilin e futbollit të Contes.

Eriksen është teknikisht më lart, edhe pse nuk e tregon një gjë të tillë te zikaltrit. Gjithsesi, më duket shumë interesant fakti që Xhaka është një lojtar që gjuan me të majtën“, deklaron Paolo Di Canio për Sky Sport. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!