Kreu i Degës së Partisë Demokratike në Durrës, Ferdinand Xhaferraj ka publikuar një vendim të Këshillit Bashkiak Durrës për dhënien e ndihmës ekonomike ndaj një familje në Manzë.
Xhaferraj thotë se ky vendim është marrë pas vizitës së kryedemokratit Lulzim Basha.
Ai shprehet se pasi Lulzim Basha ka shkuar në Manzë, Këshilli Bashkiak është mbledhur me urgjencë për të miratuar grantet për rindërtimin, ndërkohë që qytetarët ishin lënë në pritje prej 9 muajsh.
“Kryetari i Opozitës Basha bën të pamundurën: Vë në lëvizje bashkinë e vdekur të Durrësit!
Sot, pas denoncimeve të Kryetarit të PD z. Lulzim Basha dhe qytetarëve të pastrehë që prej 26 Nëntorit të Manzës, u mblodh me urgjencë Këshilli Bashkiak i Durrësit për të miratuar grantet për rindertim.
Kjo mbledhje dhe vendimi shoqërues vijnë pas plot 9 muajsh pritje të qytetarëve të cilët vazhdojnë të jenë të strehuar në cadra. Tërmeti ishte një fatkeqësi, por fakti se me qindra qytetarë vazhdojnë të ndjejnë pasojat është një zgjedhje e qeverisë Rama.
Bashkia e Gjushit ka zgjedhur të mos punojë për qytetarët por për oligarkët dhe ka zgjedhur të bëjë korrupsion e jo rindërtim. Sot u duk qartë se qytetarët e shohin zgjidhjen vetëm tek Partia Demokratike, Kryetari i së cilës bëri të pamundurën…
Këshilli Bashkiak u mblodh për të marrë një vendim që për herë të parë nuk demton edhe më shumë qytetarët e rrënuar”, shkruan Xhaferraj./abcnews.al