Fatmir Xhafaj do të ushtrojë funksionet e ministrit të Brendshëm deri në marrjen e detyrës nga pasardhësi i tij, sipas parimit kushtetuës të vazhdimësisë së punës së Këshillit të Ministrave. Kreu i shtetit ka afat deri të shtunën për dekretimin e Sandër Lleshit.
Prej të shtunës kryeministri ka përcjellë në presidencë dy vendime, një për pranimin e dorëheqjes së ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe një tjetër për emërimin e Sandër Lleshit në vend të tij. Edhe pse kanë kaluar 5 ditë nga largimi de jure i Fatmir Xhafajt nga posti i ministrit, de facto ky i fundit vijon të ushtrojë detyrën e ministrit të rendit. Arsye është bërë mungesa e shprehjes me dekret nga Presidenti Ilir Meta, për propozimin e kryeministrit për emërimin e Sandër lleshit në krye të diksterit të rendit.
Presidenti Ilir Meta edhe pse firmosi brenda pak orëve propozimin e largimit të Fatmir Xhafajt, nuk është shprehur ende lidhur me propozimin e dytë të shefit të ekzekutivit Rama. Bazuar në kushtetutë Presidenti ka një afat 7 ditor për t’u shprehur për shkarkimin dhe emërimin e minsitrave, dekret i cili më pas shqyrtohet nga Kuvendi brenda 10 ditëve. E ndërsa afati 7 ditor i presidentit për shprehjen me dekret për emërimin e Sandër Lleshit në postin e ministrit të Brendshëm, skadon të shtunën e 3 nëntorit, ministri i dorëhequr Xhafaj duhet të qëndrojë në detyrë deri në emërimin e pasardhësit të tij.
Kjo sipas nenit 106 të Kushtetutës i cili përcakton vijueshmërinë e punës së kryeminsitrit dhe kabinetit të tij deri në marrjen e detyrës nga zëvendësuesit. Duket se minsitri i dorëhequr Xhafaj, do duhet të ushtrojë funksionet nga të cilat u tërhoq edhe për pak kohë, deri në shprehjen me dekret të presidentit Meta lidhur me pasardhësin e propozuar nga kryeministri, si dhe finalizimin e këtij procesi përmes votimit në Kuvend./abcnews.al