Edhe ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, mori pjesë në takimin e ministrave të Brendshëm, pjesëmarrës të procesit të Berlinit që po mbahet në Londër, në kuadër të Samitit të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
Në takimin që kishte fokus bashkëpunimin për sigurinë, ministri Xhafaj ka paraqitur rezultatet e Task Forcës Speciale në Shqipëri për identifikimin dhe arrestimin e një sërë grupesh kriminale me rrezikshmëri të lartë, përfshi edhe hetimin e aseteve të tyre.
Xhafaj tha se forcimi i sigurisë në Ballkan kërkon padyshim vijimin pa hezitim të procesit të integrimit Evropian me këto vende, për një Europë më të fortë përballë këtyre sfidave.
Në fund të takimit, ministrat kanë miratuar një deklaratë ku shprehet angazhimi i vendeve të tyre për përballjen e përbashkët me kërcënime të sigurisë, përfshirë krimin e organizuar, ekstremizmin e dhunshëm, terrorizmin, korrupsionin, pastrimin e parave, trafikimin e qenieve njerëzore, kontrabandimin e migrantëve, trafikimin e armëve dhe drogave si dhe kërcënimet ndaj sigurisë kibernetike. /abcnews.al

