Xhafaj kundër PS për verifikimin e gjyqtarëve: Të respektojmë pavarësinë e institucioneve

schedule21:33 - 12 Shkurt, 2020

schedule 21:33 - 12 Shkurt, 2020

Si kryetar i Reformës në Drejtësi, ish-ministri Fatmir Xhafaj nuk i fsheh asnjëherë rezervat kur bëhet fjalë për amendime të ligjeve të caktuara, siç ishte ai për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në funksion të paketës Anti-KÇK të propozuar nga qeveria. Pasi e kundërshtoi në komisione, ndryshimin e ligjit, apelin e fundit Xhafaj e shprehu për socialistët nga foltorja e Parlamentit.

“Ne jemi maxhoranca që e udhëhoqëm hartimin e reformës në drejtësi. Kemi përgjegjësinë historike për zbatimin e drejtë të saj. Kuvendi duhet të marri përgjegjësitë dhe të tregoj më shumë proaktivitet në këtë mision të rëndësishëm dhe aq të mirëpritur nga qytetarët. Sot jemi të vonuar nesër mund të jetë shumë vonë.Konstatohet një përpjekje për të ndryshuar paksa me lehtësi ligjet e reformës në drejtësi. Natyrisht nuk ka tabu për këtë, sepse sic dihet nuk ka një ligj perfekt ashtu sic nuk ka edhe një ligj cudibërës. Për më tepër ne sot nuk vuajmë nga mungesa e ligjeve, por nga zbatimi i drejtë dhe proaktiv i tyre.Shihni rastin konkret. Kjo dispozitë, neni 152 është ndryshuar në korrik të vitit që shkoj dhe sot vjen përsëri për amendim. Kur ndryshojmë ligjet duhet të jemi shumë të kujdesshëm pasi druaj që shpeshherë, problematikat që mund të kemi në zbatim kërkojmë t’i kapërcejmë me zgjidhjen më të lehtë, amendimin e ligjit”, u shpreh ai.

Por ndryshimi që i jep të drejtë Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë të shqyrtojë në vetëm 3 ditë pezullimin e gjyqtari apo prokurori për një vendim të caktuar, për Xhafajn nuk e zgjidh problemin.

“Cështja shtrohet a e zgjidh kjo nismë shqetësimin tonë në të gjitha përmasat ? A është kjo qasja e duhur dhe eficente ? A ka dicka tjetër që duhet bërë më mirë për të adresuar fenomenin sot, por edhe për të mos krijuar ndërhyrje apo precedentë që mund të rihapin probleme të reja. Së pari sot kemi një realitet të ri me reformën në drejtësi që na imponon edhe një qasje të re, komunikim e marrëdhënie të re me sistemin”, tha më tej Xhafaj.

Lirimi i Endrit Dokles nga gjyqtarja e Krujës, solli një reagim të fortë nga ana e kryeministrit, por për Xhafajnë gjyqtarët nuk janë të gjithë njësoj.

“Se është gjyqtare Enkelejda Hoxha në Krujë, por po në Krujë është edhe gjyqtarja Kolgjokaj që nuk pranoj ti nënshtrohet krimit dhe korrupsionit. Ashtu si gjyqtarja në Fier, ajo në Mat apo ajo në Tiranë që nuk lejoj vendimin e pushimit të prokurorit të Tiranës lidhur me dhunën e ushtruar ndaj familjes së gjyqtares së Krimeve të Rënda. Ndaj krahas qëndrimit kritik duhet të jemi të drejtë, motivues dhe mbështetës edhe me personat me integritet në sistem dhe kryesorja në kufijtë e pushteteve respektive. Janë të shëndetshme debatet në publik për cështje të tilla, por në respekt të ndarjes së pushteteve, në respekt të institucioneve të reja të sistemit dhe pavarësisë së tyre. Nga ana tjetër kërkohet edhe më shumë koordinim e bashkëpunim me to përmes standarteve e zgjidhjeve kushtetuese, ligjore dhe institucionale”, vijoi ai.

Përpara se të mendojnë për amendimin e ligjeve, Xhafaj i ftoi kolegët e tij socialistë drejtë zgjidhjes më të mirë.

“Ka vetëm një rrugë për ta adresuar, zbatimi i reformës në drejtësi e cila ka në fokus të saj, goditjen e fenomenit të pandëshkueshmërisë. Jemi realisht në një moment delikat të reformës. Zbatimi i saj ka hyrë në një pikë kritike”.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!