Xhaçka: Së shpejti në misione paqeruajtëse nën ombrellën e OKB-së

schedule18:23 - 4 Dhjetor, 2018

schedule 18:23 - 4 Dhjetor, 2018

106 vjetori i krijimit të forcave të armatosura është përkujtuar ndryshe këtë vit. Në këtë ditë një kontigjent është nisur drejt Kabulit për një mision paqëruajtës.

Po nisen drejt Afganistanit. Janë 66 ushtarakë shqiptarë që po i bashkohen misionit të NATO-s. Përcjellja e tyre është bërë në 106-vjetorin e  Forcave të Armatosura ku krahas familjarëve ka marrë pjesë edhe ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, e cila e konsideroi koincidencë shumë të bukur.

“Pasi sot po nisim djemtë, shokët, vëllezërit, miqtë tanë Afganistan, ku do të përballen në misionin e vështirë në frontin më sfidues dhe të rëndësishëm të NATO-s. Ky do të jetë kontigjenti i 106-vjetorit të krijimit të Forcave të Armatosura”, tha Xhaçka.

Ministrja Xhaçka vlerësoi kontributin e trupave shqiptare në misionet jashtë vendit, si dhe njoftoi angazhime të tjera ndërkombëtare për Forcat tona të Armatosura.

“Ne jemi prezent në Afganistan, ku për herë të parë këtë vit forcat tona speciale po trajnojnë forcat speciale afgane. Njëherësh jemi kontribues edhe në Mali, Kosovë, Bosnje Hercegovinë, Letoni dhe së shpejti do të fillojmë angazhimet nën ombrellën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Djemtë tanë të Forcës vijojnë operacionet duke shpëtuar çdo muaj dhjetëra jetë njerëzish në detin Egje,” u shpreh ministrja Xhaçka.

Në përfundim, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka i dorëzoi flamurin kombëtar komandantit të kontingjentit, major Kreshnik Bunguri. Kontingjenti shqiptar do të shërbejë në Aeroportin Ndërkombëtar të Kabulit për një periudhë 6-mujore, nën komandën e Forcave të Armatosura të Turqisë. Gjithashtu, me rastin e 106-vjetorit të krijimit të Forcave të Armatosura, në garnizonin “Skënderbej” u zhvilluan edhe disa aktivitetet të tjera./abcnews.al