Xhaçka: Investimi në FA i duhuri për një Shqipëri më të sigurtë

schedule15:09 - 21 Dhjetor, 2017

schedule 15:09 - 21 Dhjetor, 2017

Në mbyllje të vitit, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka zhvilloi një takim me strukturën speciale për eliminimin e materialeve të rrezikshme  të Batalionit Xhenios në Komandën Mbështetëse. Një kontigjent i kësaj strukture u kthye pak ditë më parë nga Letonia, ku Shqipëria përfaqësohet me efektivët e saj, pjesë e misionit të NATO-s që prej Qershorit të këtij viti.

E kanë kryer me sukses misionin në Letoni dhe Mali Kompania e asgjësimit të municioneve dhe eksplozivëve e për këtë morën përgëzimet e ministres së mbrojtjes Olta Xhaçka.

“Kontributi juaj i vlerësuar edhe nga drejtues të misionit nga vendi ku ju vinit është një tjetër provë e profesionalizmit të Ushtrisë shqiptare”.

Vlerësimet nuk i harroi as për punën e efektivëve si brenda dhe jashtë vendit.

“Këto ditë është folur shumë për FA dhe efektivët tanë që në ditët e motit të keq ju gjendën pranë  mijëra familjeve, për djemtë dhe vajzat nën uniformë  që në pak muaj shpëtuan mbi 1000 jetë njerëzish në detin Egje, apo për ushtarakët tanë që kontribuojnë përkrah aleancës  në Afganistan, Kosovë, Bosnje Hercegovinë. Prej qershorit  të këtij viti flamuri shqiptar valvitet krah flamujve  të vendeve anënate të NATO edhe në Letoni dhe në Mali. Profilizimi dhe modernizimi i FA sot është temë e ditës për të qenë atje ku të tjerët e kanë të pamundur të hyjnë. Sepse Shqipëria është NATO, është vendi i djemve dhe vajzave që gjenden aty ku ka më shumë nevojë për të garantuar sigurinë e jetës”, tha ministrja Xhaçka.

Por që sfidat e reja të përballohen me sukses duhen rritur kapacitetet operacionale.

“Jam krenare të pohoj se, Qeveria Shqiptare dhe Ministria e Mbrjotjes është e angazhuar në një proces modernizimi të FA, me synim rritjen dhe përmirësimin cilësor të kapaciteteve operacionale të strukturave tona ushtarake dhe veçanërisht, të atyre strukturave që janë pjesë e mbrojtjes kolektive të NATO-s. Besojmë fort se, investimi në  të ardhmen e FA është investimi i duhur, që Shqipëria të jetë një vend më i mirë, më i sigurtë dhe më i begatë për fëmijët tanë”, përfundoi Ministrja Xhaçka.

Ministrja e Mbrojtjes mori pjesë edhe në analizën vjetore të Komandës Mbështetëse të FA, e cila mbajti një peshë të madhe, në përballimin e emergjencave të pak javëve më parë në disa rajone të vendit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!