Timo Werner ishte një nga objektivat e Liverpool, por sulmuesi gjerman do të transferohet te Chelsea. “Blutë e Londrës” vepruan shpejt, arritën akord me Leipzig dhe tani pritet vetëm zyrtarizimi i transferimit të lojtarit në kryeqytetin anglez.
Diçka e tillë i befasoi të gjithë, por jo Jurgen Klopp. Trajneri gjerman nuk mund të mos ketë një plan B dhe alternativa e Werner është Ousmane Dembele. Football Insider raporton se Liverpool ka nisur bisedimet me Barcelonën për kartonin e francezit.
Klubi katalanas pagoi 105 milion euro te Dortmund gushtin e vitit 2017 dhe siguroi shërbimet e Dembele. 23-vjeçari ka një potencial të madh, por dëmtimet e kanë penalizuar shumë. 19 gola të shënuar në tre sezone janë pak dhe Barcelona s’e mohon shitjen e tij.
Klopp e pëlqen sulmuesin e djathtë dhe karakteristikat e tij i cilëson perfekte për futbollin që praktikon trajneri gjerman. Liverpool po tenton ta marrë lojtarin në huazim me të drejtë blerje për një çmim që duhet të vendoset nga dy palët. /abcnews.al

