Vetëvendosja e Albin Kurtit po përpiqet të marri përsëri vëmendje përmes lëvizjeve të saj kundër listës serbe në garën e zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.
Anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë bërë ankesë në Gjykatën Supreme ndaj vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për ta urdhëruar Komisionin Qendror Zgjedhor ta certifikojë Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale.
Ky institucion e urdhëroj javën e kaluar komisionin zgjedhor ta certifikojë partinë më të madhe të serbëve në Kosovë – e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – pak ditë pasi asaj iu mohua regjistrimi për pjesëmarrje në zgjedhjet e 12 tetorit.
Ky rast është pothuajse një përsëritje e rastit të zgjedhjeve të përgjithshme të shkurtit, kur LVV e kundërshtoj deri në Gjykatën Supreme pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje, por pa sukses.
Vendimi për moscertifikimin e Listës Serbe është kritikuar nga vendet e QUINT-it dhe Bashkimi Evropian, të cilat i bënë thirrje Qeverisë në detyrë dhe partive politike të mos ndërmarrin ndonjë hap tjetër për ta penguar regjistrimin e Listës Serbe për zgjedhjet e tetorit, në të njëjtën linje me qëndrimin e te dërguarës së SHBA në ambasadën amerikane në Prishtinë Anu Prattipati për të mos lejuar një lëvizje të tillë, që sipas saj në thelb është jodemokratike.
Lista Serbe vendosi të garojë në zgjedhjet e radhës lokale, pasi bojkotoj zgjedhjet e kaluara, duke bërë që kryetarët shqiptarë ta merrnin dhe mbanin pushtetin në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit nga maji i vitit 2023. Nëse certifikohet, Lista Serbe pritet t’i rimarrë të gjitha katër komunat veriore.

