Vuçiç: Telefonata ime bëri të mundur lirimin e Gjuriç

schedule12:43 - 29 Mars, 2018

schedule 12:43 - 29 Mars, 2018

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka në një prononcim për televizionin “Prva” njoftoi se një telefonatë e tij zgjidhi çështjen e tensionuar të arrestimit të Marko Gjuriç në Mitrovicë. Kreu i shtetit tha se telefonata është bërë në Prishtinë, por nuk specifikoi se me kë ka biseduar.

“Ju thashë se kanë afat deri në orën 20:30 që të tërhiqen. Dhe ata u tërhoqën duke kthyer Marko Gjuriç në Serbi në orën 19:20”, u shpreh Vuçiç.

Më tej ai shtoi se telefonata e bërë në Prishtinë parandaloi “terrorin më të madh që mund të bëhej ndaj zyrtarit të qeverisë serbe”.

Gjithashtu nënvizoi se shqiptarët janë tërhequr edhe në të kaluarën kur ai i ka paralajmëruar po me anë të një telefonate. Presidenti serb tha se ka garanci që njësitë speciale “ROSU” nuk do të vijnë më në veri të Kosovës.

Ndërkohë, sa i përket kësaj çështje, ka ardhur edhe një tjetër reagim nga shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Beogradit, Marko Gjuriç. Ky i fundit me anë të një deklarata thekson se Serbia mbështet paqen dhe pati një akuzë për kryeministrin e Kosovës.

“Nga deklaratat e Ramush Haradinajt, është e qartë për të gjithë se në Prishtinë ka njerëz që nuk e duan paqen, por po përgatiten për luftë”, nënvizon Gjuriç.

“Ka të drejtë Ramush Haradinaj kur thotë se nuk mund të ketë ndarje dhe shkëmbime të territoreve të Kosovës, sepse i gjithë territori i Kosovës është pjesë e Republikës së Serbisë”, shton ai.

Ndërkohë, paralajmëroi qytetarët serbë të Kosovës që të mos bëhen pjesë e Forcave të Armatosura. Ndër të tjera ripërsëriti angazhimin e politikanëve të Listës Serbe për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!