Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, sot në ora 12:00 në Qendrën e Kulturës Gradac në Rashkë do të takohet me përfaqësuesit politikë të serbëve në Kosovë.
Siç njofton Zyra për Bashkëpunim me Media e Vuçiç, në takim do të marrin pjesë kryeministrja Ana Brnabiç dhe anëtarë të Qeverisë së Serbisë.
Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiç ka thënë se përfaqësuesit politikë të serbëve në Kosovë do të kenë takim me presidentin, kryeministrin dhe ministrat “do ta përcjellin qartë se si jetojnë serbët në Kosovë”.
Pjesëtarët e komunitetit serb nga veriu i Kosovës, më 12 prill, protestuan dhe kërkuan tërheqjen e njësive speciale të Kosovës nga ai rajon, pas plagosjes së një bashkëqytetari të tyre.
Protesta është mbajtur në Zveçan, në rrugën kryesore, e cila nga banorët lokalë njihet me emrin “te ura e Bistricës”.
Në atë vend është vendosur një njësi speciale e Policisë së Kosovës dhe më 10 prill, aty ka ndodhur një incident, ku ka mbetur i plagosur Milan Jovanoviç.
Në protestë, serbët lokalë kanë iniciuar edhe një peticion për tërheqjen e forcave speciale të Kosovës.