Presidenti Aleksandar Vuçiç këtë të enjte është shprehur se pret presion të madh mbi çështjen e zgjidhjes së problemit të Kosovës dhe se është e rëndësishme që Serbia, pas zgjedhjeve, të bëhet me një qeveri të fortë.
Në një deklaratë për mediat Vuçiç është shprehur se nuk do të jetë e lehtë për Serbinë. Ai përsëriti se në procesin e dialogut, Serbia gjithashtu duhet të merret parasysh.
“Ne nuk kemi kundërshtime për bisedimet që kemi pasur në BE, si dhe në bisedimet me Richard Grenell. Gjithmonë jam munduar të arrij sa më shumë që të jetë e mundur në mënyrë paqësore. Nëse ata ndalojnë me kërkesat për pranim në Interpol dhe organizata të tjera, ne do të ndalojmë fushatën e njohjes së Kosovës”, tha Vuçiç.
Ai shtoi se presidenti i Kosovës Hashim Thaçi i realizoi të gjitha këto me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, dhe se kreu i shtetit të Kosovës do të ishte dakord për bisedime vetëm kur amerikanët janë pjesëmarrës në tryezën e bisedimeve.
Vuçiç tha se nuk e kupton arsyen pse Thaçi nuk dëshiron të bisedojë me përfaqësuesit evropianë në procesin e dialogut.
“Për dallim prej nesh, që nuk na lejohet të bëjmë asgjë, sidoqoftë, atyre u lejohet të bëjnë gjithçka”, tha Vuçiç.