Vuçiç reagon për vetëvrasjen e gjeneralit kroat në Hagë

schedule15:22 - 30 Nëntor, 2017

schedule 15:22 - 30 Nëntor, 2017

Nuk mund të tallem dhe as ta cilësoj si një frikacak Praljak për gjestin e tij. Në këtë mënyrë ka reaguar presidenti serb Vuçiç pas vetëvrasjes në sallën e gjyqit të Hagës së gjeneralit kroat Sllobodan Praljak. Praljak ishte një nga udhëheqësit ushtarakë të kroatëve në Bosnje e Hercegovinë gjatë luftës së viteve 1990. Ai ndërroi jetë pak kohë pasi piu helm në sallën e gjyqit kur u shpall fajtor për krime lufte dhe iu konfirmua dënimi prej 20 vitesh burg nga gjykata e apelit.

Por kreu i shtetit serb gjithësesi shtoi se do të ketë cfarë të thotë për njerëzit në Bashkimin Europian rreth standardeve të tyre të dyfishta dhe deklaratave për Serbinë dhe Kroacinë lidhur me aktgjykimet e fundit në Hagë. Vuçiç tha se pas vendimit të javës së shkuar kundër gjeneralit serb Ratko Mlladiç, nga Serbia do të ketë vetëm deklarata që theksojnë të ardhmen dhe shprehin respekt ndaj të gjitha viktimave, pa u larguar nga tema të vështira. Më pas ai iu drejtua gazetarëve duke i pyetur se si ka mundësi që askush nuk është dënuar për krimet e kryera ndaj serbëve. Sipas tij, 95 për qind e qytetarëve të Serbisë mendojnë se vendimi i Hagës për Mlladiç ishte anti-ligjor, i keq dhe nuk korrespondonte me faktet. Ai shtoi se ishte hipokrizi që Beogradi u kritikua për lejimin e ish gjeneralit të ushtrisë jugosllave në pension, Vladimir Lazareviç – i dënuar nga Haga – që të jepte mësim në akademinë ushtarake./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!