Krijimi i Asocacionit të komunave serbe në veri të Mitrovicës ka qenë sërish në qendër të deklaratave të presidentit Vuçiç. Kreu i shtetit serb kundërshtoi qëndrimin e Brukselit sipas të cilit asocacioni do krijohet sipas ligjeve të kushtetutës së Kosovës.
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç deklaroi se Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe do të themelohet në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit dhe normat e saj. Në reagimin e tij ndaj deklaratës së zëdhënëses së Bashkimit Europian, Maja Kocijançiç, e cila tha se ky asociacion do të bëhet në përputhje me ligjet e Kosovës, Vuçic kërkoi që t’i tregojnë se ku është e shkruar një gjë e tillë.
Kreu I shtetit serb theksoi se më shumë se 100 herë ka thënë në Bruksel se Asociacioni themelohet në përputhje me marrëveshjen e Brukselit, një marrëveshje që ai pretendon se e di përmendësh. Më tej Vuçiç shtoi se kushdo që është i interesuar mund të gjejë marrëveshjen e Brukselit në faqen online të qeverisë, të presidentit, të zyrës për Kosovën, për të vërtetuar se një gjë e tillë nuk shkruhet askund.
Qeveria e Kosovës këmbëngul që Asociacioni të bëhet në bazë të Kushtetutës së saj, ndërsa përfaqësuesit e Listës Serbe, së bashku me qeverinë serbe, kërkojnë që themelimi të ndodhë duke pasur për bazë Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013. /abcnews.al