Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se tema kryesore e takimit që do ta zhvillojë sot me presidentin e Francës, Emmanuel Macron do të jetë Kosova.
Vuçiç tha se ky do të jetë takimi i 11-të mes tij dhe presidentit të Francës, ndërsa e cilësoi Macronin si “mik i sinqertë i Serbisë”,
“Ne do të diskutojmë shumë gjëra të rëndësishme. Ky është takimi ynë i 11-të. Marcon është një nga udhëheqësit më të rëndësishëm botërorë dhe mik i sinqertë i Serbisë, dhe vizita e tij në Serbi në 2019 ishte me rëndësi historike për marrëdhëniet tona dhe që atëherë, politika jonë dhe bashkëpunimi ekonomik kanë vetëm ngjitje”, tha Vuçiç mbrëmë për TV Pink.
“Tema kryesore do të jetë ajo për Kosovën dhe Metohinë, pastaj integrimi evropian i Serbisë”, theksoi ai.
Vuçiq tha se Franca dëshiron progres në çështjen e dialogut Kosovë-Serbi deri në vitin 2022, kur do ta marrë presidencën e Bashkimit Evropian. “Duke pasur parasysh peshën e situatës me të cilën po përballemi në të gjithë Ballkanin, nuk është aspak e lehtë, por unë do të jem shumë i sinqertë dhe do të flas hapur me Macronin për këtë”, paralajmëroi Vuçiç.
Kur bëhet fjalë për marrëdhëniet dypalëshe, Vuçiç kujtoi se shkëmbimi tregtar midis Serbisë dhe Francës arriti në 1.2 miliard në vitin 2019 dhe do të ishte, thotë ai, edhe më i lartë sot, në vend që të binte me gjashtë përqind në 11 muaj vitin e kaluar, për shkak të pandemisë së koronavirusit.