Vuçiç: Nuk pranojmë marrëveshje me Kosovën në dëm të Serbisë

schedule15:24 - 31 Gusht, 2018

schedule 15:24 - 31 Gusht, 2018

Presidenti serb Vuçiç ka bërë me dije se nuk do të pranojë asnjë marrëveshje me Kosovën, e cila do të jetë në dëm të Serbisë. Ndërsa ministri i jashtëm Daçiç thotë se Prishtina nuk është e gatshme për kompromis.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të premten është takuar me ambasadorin e Britanisë së Madhe në Beograd, Denis Keefe, me të cilin diskutoi rreth zgjidhjes së problemit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Siç shkruan agjencia e lajmeve “Tanjug”, Kreu i shtetit ka thënë se Serbia nuk do të pranojë asnjë marrëveshje me Kosovën e cila do të ishte në dëm të Serbisë dhe të popullit serb. Vuçiç ndërkohë e ka informuar ambasadorin Keefe edhe për ecurinë e dialogut ndërmjet dy vendeve në Bruksel.

Për këtë çështje, ka ndërhyrë edhe ministri i jashtëm i Beogradit, Ivica Daçiç. “Serbia është e vendosur të gjejë një zgjidhje kompromisi midis Beogradit dhe Prishtinës për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Por nuk jam i sigurtë nëse pala tjetër e dëshiron këtë”, tha kryediplomati serb në një takim jozyrtar të ministrave të jashtëm të BE-së në Vjenë ku po marrin pjesë edhe shefat e diplomacive të vendeve kandidate.

Ndërkohë, Vuçiç bisedoi të enjtën në telefon me ndihmëssekretarin amerikan, Wess Mitchel, rreth çështjes së zgjidhjes së problemit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Por ai nuk e ka përmendur idenë e shkëmbimit të territoreve. Kjo mbase ka ardhur si rezultat i asaj që Vuçiç e konsideron si, presionit politik nga opozita në Beograd si dhe gjithashtu nga kisha ortodokse, që kanë dalë kundër idesë për shkëmbim të territoreve. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!