Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka deklaruar se askush nuk mund ta detyrojë të njohë pavarësinë e Kosovës. Në fjalimin e radhës, Vuçiç është shprehur se bisedimet me Prishtinën janë sa të qarta aq edhe komplekse dhe ka akuzuar Bashkimin Europian se e ka braktisur Serbinë.
Presidenti serb, Alleksandar Vuçiç, ka thënë se nuk ka fuqi në botë ta detyrojë ta njoh pavarësinë e Kosovës. Ka thënë se ndjehet i vetmuar në idenë e tij për zgjidhje të problemit të Kosovës dhe ka akuzuar bashkësinë ndërkombëtare për standarde të dyfishta. Ka kritikuar idenë e hapjes së kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë duke thënë se nëse Serbia do ta bënte një gjë të tillë me serbët e Bosnjës, kjo do të dëgjohej shpejt në mbledhje të jashtëzakonshme në OKB.
Alleksandar Vuçiç, President i Serbisë: “Jemi gjithmonë të gatshëm për dialog, por duhet ta di për cfarë do të bisedojmë. Pasi të më thonë ‘do të ishte bukur ta njihni pavarësinë e Kosovës’, apo ‘nëse e njihni do të bëheni lider botëror’, atëherë po e them, nuk dua. Nuk largohem që këtej”.
Vuçiç tha se dialogu i Brukselit sa afër duket edhe larg. Beogradi pret përgjigje të qartë nga BE nëse dialogu do të thotë që Serbia të humbasë gjithçka.
“Jam i vetmuar në Serbi, në rajon, por edhe në Evropë. Të gjithë thonë se Kosova është e pavarur, por dua ta shoh se si do ta detyrojnë Serbinë ta pranojë një gjë të tillë. Nuk ka fuqi, njeri dhe asgjë në botë që të më detyrojë ta bëj këtë. Dhe çfarë pastaj? Do më vrisni?”
Ishte folur për mundësinë e takimeve së shpejti në kryeqendrën evropiane, ose në Nju Jork, por presidenti serb nuk do të shkojë atje./abcnews.al