Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka nisur vizitën e tij dy ditore në Veri të Kosovës. Mësohet se ai ka ka hyrë në territorin e Kosovës, përmes pikës kufitare në Bërnjak. Presidenti serb fillimisht udhëtoi drejt Zubin Potokut, ku vizitoi Qendrën për Ekologji dhe Zhvillimin e Sportit dhe atë të Kryqit të Kuq.
Ai u shpreh I kënaqur që ishte aty dhe theksoi rëndësinë e investimeve serbe në zonë. Presidenti serb më pas vizitoi edhe Liqenin e Ujmanit, ku mbajti edhe një konferencë për shtyp.
Ai nënvizoi se ka ardhur për të përmirësuar marrëdhëniet me shqiptarët. Gjithashtu bëri me dije se idetë e tij për Kosovën po pengohen nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe shqiptarët.
Liqeni i Ujmanit, ishte një pikë në vizitën e tij që u kundërshtua ashpër nga autoritetet e Prishtinës. Por në fund ata u dorëzuan përballë presionit ndërkombëtar dhe pranuan vizitën e Vuçiç në Ujman.
Ky kundërshtim i palës kosovare mendohet dhe shkaku kryesor i dështimit të dialogut të premten në Bruksel.
Ndërkohë, gjatë vizitave të tij, presidenti Vuçiç është pritur me dekore me flamuj serbë, të vendosura në rrugë dhe në digën e liqenit. Eskorta e presidentit Vuçiç, gjatë gjithë vizitës, shoqërohet nga ekipet speciale të Kosovës. Bashkë me Vuçiç gjendet edhe shefi i shërbimit sekret serb./abcnews.al