Pas arrestimeve në veri të Kosovës, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç i kërkoi Bashkimit Europian të ndërhyjë. Në fjalën e tij para parlamentit, Vuçiç deklaroi se kjo është një përpjekje për të inkriminuar serbët në Kosovë, të cilët janë më të zemëruar se asnjeherë.
Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç u shpreh se në operacionin e njësë speciale ROSU, të policisë së Kosovës, 23 persona të shtetësisë boshnjake dhe serbe janë arrestuar. Pjesa më e madhe e tyre ishin anëtarë të policisë së Kosovës. Sipas Vuçiç kjo është një përpjekje për të kriminalizuar serbët në Kosovë të cilët janë më të zemëruar se asnjëherë.
Kreu i shtetit serb shtoi se në veri të Mitrovicës, njësitë special kishin hyrë me 73 automjete të blinduara, ndërsa 50 automjete të tjera ishin vendosur në jug të Mitrovicës dhe 23 të tjera patrullonin në zonat përreth.
Presidenti serb u shpreh se prej më shumë se një viti e gjysëm ka pasur shumë sulme ndaj serbëve në veri të Kosovës.
Vuçiç tha se Prishtina po përpiqet të vendosë një kufi shqiptar në Kopaonik, por Serbia do e ndalojë këtë dhe në rast se situata do të përshkallëzohet Beogradi do të mbrojë serbët dhe do të fitojë.
AI theksoi se mëngjesin e të martës si komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura, kishte urdhëruar ushtrinë të qëndronte në gatishmëri.
Dhe pse pranoi se lajmi nuk është i konfirmuar, Vuçiç u shpreh se një shtetas rus, Mikail Krasnoshenko, nëpunës i UMNIK ishte rrahur dhe arrestuar.
Presidenti serb pohoi se kishte kontaktuar me administratën e Brukselit mëngjesin e sotëm për shkak të situatës në veri të Kosovës, dhe përgjigja ishte se po ndodhte një operacion policor kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Në fund të fjalës së tij Vuçiç ka ironizuar i nervozuar: “Imagjinoni një aksion kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit që drejtohet nga Haradinaj? /ABC news Albania 24/7