Vuçiç: Kjo gjë më bindi që nuk duhet ta njohim Kosovën

schedule10:41 - 29 Nëntor, 2021

schedule 10:41 - 29 Nëntor, 2021

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, mbrëmë ripërsëriti se BE-ja nuk ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se do të votonte pro në një referendum paqësor e demokratik për t’u bashkuar me Shqipërinë.

Vuçiç tha se ndërkombëtarët do t’i thonin Serbisë se nuk po e harron të kaluarën në rast se do të kërkonte bashkim me Republika Srpskan.

“Imagjinoni që njëri prej nesh tha që Republika Srpska dhe Serbia duhet të bashkohen. Pyetja ime është a e dini se sa do të reagonin. Ata do të reagonin menjëherë. Pra, të njëjtën gjë do të na e shpjegonin për një sekondë se ne jemi njerëzit e së kaluarës dhe se ne jemi barra e Ballkanit për të sjellë kriza dhe gjithçka tjetër”, tha Vuçiç.

Presidenti serb tha se për këtë arsye është i bindur se Serbia nuk duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës. Por ai ka shtuar se është e rëndësishme që “ta dëgjojmë njëri-tjetrin edhe kur mendojmë ndryshe”.

“Kur filluam dialogun, të gjithë patën mundësinë, si sot, ta shprehin mendimin e tyre. Unë e di që nuk ishim ‘engjëj të bardhë’, por mendoj se një faktor i jashtëm ishte kyç për shkatërrimin e Jugosllavisë”, tha Vuçiç për TV Pink. Presidenti shtoi se e kupton se Serbia humbi në Kosovë gjatë viteve 1961-1991.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!