Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiç i ka dalë në krah Presidentit Vuçiç pas deklaratës së tij që shkaktoi reagime të shumta në Prishtinë dhe Tiranë. Daçiç tha se Vuçiç nuk kërcënoi me luftë, por foli për zgjidhjen e problemeve në Kosovë për të mos i lënë hapur.
“Derisa e gjithë bota po flet për gjykimin në Hagë dhe krimet e UÇK-së, zyrtarët e Kosovës po përpiqen me të gjitha forcat e tyre të thonë gënjeshtra për Serbinë dhe presidentin Aleksandar Vuçiç. Edhe tani, ata po gënjejnë neveritshëm për Vuçiçin që kërcënon me luftëra të reja.
Përkundrazi, Vuçiç foli për nevojën për të punuar në zgjidhjen e problemeve në Kosovë dhe jo për të lënë një konflikt të ngrirë që do të mbetet një kërcënim i përjetshëm” tha ai.
Tirana dhe Prishtina dënuan deklaratat e Presidentit serb. Por cfarë tha Vuçiç? “Është e rëndësishme t’ju them se konflikti Nagorno-Karabak tregon se konfliktet e ngrira mund të përshkallëzohen në çdo moment”, deklaroi Vuçiç duke paralajmëruar se konflikti në Ballkan mund të rihapet nëse nuk ka një marrëveshje mes dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë./ db/Abcnews.al