Vuçiç i kërkon Thaçit përfshirjen e Serbisë në hetimet për vrasjen e Ivanoviç

schedule20:18 - 17 Janar, 2018

schedule 20:18 - 17 Janar, 2018

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, i ka kërkuar homologut të tij kosovar, Hashim Thaçi, që Serbia të përfshihet në hetimet për vrasjen e Oliver Ivanoviç. Në një bisedë telefonike, ata kanë theksuar rëndësinë e dialogut mes dy vendeve.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e tij serb, Aleksandër Vuçiç. Dy krerët e shteteve kanë diskutuar një sërë çështjesh të rëndësishme ndërsa fokusi i tyre ishte tek vrasja e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviç. Agjencia shtetërore e lajmeve “Tanjug”, shkruan se Vuçiç i kërkoi Thaçit të pranonte përfshirjen e autoriteteve shtetërore serbe në hetimin për vrasjen e kryetarit të Iniciativës Qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia” (SDP).

Kurse vetë presidenti i Kosovës me anë të një mesazhi në Facebook thekson: “Presidenti Thaçi gjithashtu theksoi se, organet kompetente të Republikës së Kosovës janë të gatshëm që në përputhje me legjislacionin në fuqi të bashkëpunojnë dhe të pranojnë çfarëdo ndihme, e cila mund të çojë drejt zbardhjes së kësaj vrasjeje”.

Të dy presidentët theksuan domosdoshmërinë që t’u jepet kohë organeve kompetente të kryejnë punën e tyre në mënyrë profesionale dhe të pavarur. “Kryesore në gjithë këtë çështje, është zbulimi i autorëve të kësaj vrasjeje”, theksuan të dy Presidentët.

Ndërkohë, “Tanjug” nënvizon se Vuçiç dhe Thaçi ranë dakord që dialogu midis serbëve dhe shqiptarëve, si dhe puna e përbashkët për qetësimin dhe stabilizimin e situatës në Kosovë dhe Metohi, është vendimtar për të dy palët.

Të njëjtën gjë konfirmoi edhe presidenca e Kosovës që theksoi se në këtë bisedë telefonike, të dy Presidentët trajtuan çështjet e ndryshme të interesit të përbashkët, duke u fokusuar në domosdoshmërinë e vazhdimit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndër-shtetërore, forcimin e paqes në rajon dhe perspektivën e integrimeve euro-atlantike./abcnews.al