Vuçiç: Dialogu me Kosovën sipas kushteve të Beogradit

schedule11:54 - 26 Dhjetor, 2017

schedule 11:54 - 26 Dhjetor, 2017

Dialogu mes Serbisë dhe Kosovës në Bruksel do të vazhdojë sipas kushteve të Beogradit. Ka qenë kjo deklarata e presidentit Aleksandër Vucic i cili shtoi se pala serbe ka gati propozime dhe kompromise për të ofruar.

Në një intervistë për televizionin serb Pink, presidenti Aleksandër Vuçiç foli dhe njëherë më shumë për dialogun me Kosovën duke thënë se ai do të vazhdojë. Madje në mënyrën që do të vendosë Serbia. Presidenti serb theksoi se shqiptarët në Kosovë nuk kanë punuar asnjëherë në mënyrë të pavarur për veten e tyre. Vuçiç u shpreh se në cdo hap të dialogut në Bruksel do të merret dhe vendimi i Beogradit, i cili nuk do të vendosë sipas dëshirës por në bazë të propozimeve dhe kompromiseve që ofron.

Edhe drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën dhe Metohinë në qeverinë serbe, Marko Gjuric foli një ditë më parë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve duke cilësuar cështjen e pronave si një pikë kyce. Sipas politikanit serb, zgjidhja e çështjeve të pronave në Kosovë do të jetë një nga kërkesat kryesore të palës serbe për të arritur normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve me Kosovën. Gjithashtu, ai tha se në vijim të dialogut të Brukselit, Beogradi do të kërkojë një rishikim të procesit të privatizimit në Kosovë. Ndërsa, UNMIK-un dhe EULEX-in do të trajtohen nga Serbia, zyrtarisht si organizata të ngarkuara me menaxhimin e përkohshëm të Kosovës./abcnews.al