Vuani nga alergjitë stinore? Mjekja alergologe ju jep këshillat e nevojshme që duhet të ndiqni

schedule09:14 - 7 Prill, 2022

schedule 09:14 - 7 Prill, 2022

Alergjitë stinore ashtu si edhe alergjitë e tjera, zhvillohen kur sitemi imunitar i trupit bëhet i ndjeshëm dhe reagon ndaj substancave që ndodhen në mjedis, të cilat në pjesën më të madhe të popullatës nuk japin probleme.

E ftuar në “ABC e Mëngjesit”, alergologia e Spitalit “Hygeia”, Dr. Maria Zoto ka folur rreth këtyre alergjive.

“Çdo gjë që hyn në kontakt me rrugët tona të frymëmarrjes te ata që kanë alergji shkakton simptoma. Që do të thotë që nga skuqje dhe lotim të syve, bllokim të hundëve, rrufë, tështima deri te në bllokim të bronkeve, kollën, flas për gjithë rrugën e frymëmarrjes. Këto janë disa nga simptomat që në fakt i shoh jo vetëm këto ditë, i shoh gjatë gjithë vitit. Por është e vërtetë që pranvera është një stinë shumë e sikletshme për dikë që vuan nga alergjitë”, u shpreh ajo.

Më tej, Zoto tregoi se çfarë duhet të bëjnë personat që vuajnë nga alergjitë ose që kanë disa simptoma.

“Ne nuk mund të japim receta fikse, por varet nga simptomat. Sigurisht që në ditët që janë më në vështirësi ose në qoftë se kemi pjesën e tështimave, pjesën e bllokimit ka edhe mjekime. Ndërsa te ata që vuajnë nga polenat do të thosha si këshilla të përgjithshme, duke qenë se lulet lëshojnë pjalmin e tyre gjatë paradites, duhet deri diku të shmangin qendrimet gjatë në ambientet e jashtme, ose kur udhëtojnë me makinë të mbyllin dritaret, të mos ajrosin shtëpinë gjatë ditës, të përpiqen ta ajrosin në darkë”, tha ndër të tjera doktoresha./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!