Një 45-vjeçar është vrarë pas një sherri në lokal nga bashkëfshatari i tij. Policia e ka shpallur në kërkim autorin dhe ka ngritur postblloqe për kapjen e tij. Krimi sipas hetimeve të deritanishme ka ndodhur për shkaqe banale.
Një sherr në lokal mes dy bashkëfshatarëve në zonën e ish-Kënetës në Durrës, përfundoi me vrasje. Martin Ndreca, 45 vjeç, u ekzekutua me automatik brenda në makinën e tij, pas mesnatës.
Sipas policisë, dyshohet se autor i këtij krimi është 37-vjeçari Ndue Zefi, i shpallur tashmë në kërkim. Në vendin e ngjarjes u gjetën pesë gëzhoja automatiku. Sipas policisë, dy personat më parë kishin qenë sëbashku në një lokal dhe më pas janë konfliktuar.
“Në momentin që Martin Ndreca, 45 vjeç, ka hipur në automjetin e tij tip “Benz”, i cili ndodhej i parkuar pikërisht në këtë vend është qëlluar me një armë zjarri nga personi që ishte konfliktuar”, raporton nga vendi i ngjarjes gazetarja Enkeleda Arapi.
Menjëherë sapo viktima po hipte në makinë, sipas policisë, autori Ndue Zefi i ka dalë para, duke qëlluar disa herë në drejtim të tij e duke e lënë të vdekur në vend. Mjeti i viktimës lëvizi deri në 200 metra distancë nga vendi ku u qëllua.
“Pasi është qëlluar automjeti në të cilën ndodhej viktima ka ecur në gjendje të lirë për rreth 200 metra, për t’u frenuar më pas nga ky automjet me të cilin është përplasur”, tha gazetarja.
Policia e Durrësit ka ngritur postoblloqet për kapjen e autorit, i cili dyshohet se është fshehur në zonën e ish-Kënetës. Identifikimi i autorit u bë përmes dëshmitarëve që janë gjetur aty kohën e krimit. Shumë nga ata u shoqëruan për t’u marrë në pyetje dhe rrëfyen çfarë panë./abcnews.al