Vritet i riu në Tiranë (Video)

schedule22:36 - 18 Mars, 2019

schedule 22:36 - 18 Mars, 2019

Ekzekutohet me armë zjarri 26-vjeçari Jurgen Kurti. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:20 në kryeqytet, në afërsi të postës nr. tetë, në zonën e “Tiranës së Re”, jo shume larg stadiumit “Selman Stermasi”.

Biznesmeni Jurgen Kurti, i njohur më së shumti edhe në botën e showbizit si menaxheri i VIP-ave, ka qenë duke lëvizur në këmbë në afërsi të zonës ku jetonte, kur është qëlluar me armë zjarri.

Ai dyshohet se është qëlluar nga një ose disa persona që po lëviznin me një autoveturë tip “Benz”. Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe po heton ekzekutimin e të riut. Jurgen Kurti ka qenë një personazh i njohur për policinë e kryeqytetit.

Në vitin 2016, ai u vu në pranga pas vrasjes së të atit Artur Kurti. Vrasja e këtij të fundit ndodhi brenda banesës së familjes dhe atë e mori përsipër daja i të riut, Leonard Ristani. Ky i fundit u dënua nga gjykata me më pak se 2 vite burg për shkak se ekzekutimi i Artur Kurtit u cilësua si vrasje ne kushtet e ekstreme të vetëmbrojtjes.

Një vit më pas, Jurgen Kurti u vu sërish në pranga për pak kohë. Sërish një vrasje u lidh me emrin e tij, por kësaj here ngjarja ndodhi në Durrës. Viktimë mbeti Agim Arapi. Ai ishte pronari i një marketi në të cilin kalonin tubat e aspirimit të një picerie në pronësi të vjehrrit të Jurgen Kurtit. Agim Arapi u dhunua nga krushku i Kurtit dhe një i afërmi i tij. Arapi zyrtarisht u tha se humbi jetën si pasojë e një infarkti, por familja këmbëngulte se ataku në zemër iu shkaktua nga dhuna.

Për këtë ngjarje u arrestuan Kostandin Ekonomi dhe Kujtim Ekonomi.  Por bashkëshortja e viktimës, Vjollca Arapi, këmbëngulte edhe publikisht nëpër studio emisionesh se pikërisht Jurgen Kurti ishte personi që e nisi konfliktin me të shoqin dhe është po aq fajtor, sa dy të arrestuarit e tjerë.

Edhe për këtë ngjarje Jurgen Kurti u la i lirë nga drejtësia pak kohë pas arrestimit dhe iu rikthye jetës së tij të shfrenuar në luks. Disa herë i riu vetëm 26-vjeçar ka qenë personazh intervistash ku fliste për pasionet e tij dhe jetën luksoze që bënte, jetë që edhe e ekspozonte vetë me foto e postime në rrjetet sociale./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!