Një eksperiencë që e kanë sjellë nga jashtë dhe po e aplikojnë për herë të parë në tokën e tyre. Në Karbunarë dhe në Zgjanë të Lushnjës, fermerët po mbjellin vreshta brenda serave që më parë i kanë përdorur për perime.
Në serat e Myzeqesë po mbillen vreshta. Pas dështimeve me perimet, pronarët e tokave kanë ndryshuar kulturën e mbjelljes. Është diçka e re, por përpjekjet kanë nisur për guximtarët. Ato janë ndërtuar në Karbunarë dhe në Zgjanë të rrethit Lushnje. Kultivuesit eksperiencën e kanë sjelle nga jashtë vendit dhe thonë se është një investim që ia vlen të provohet.
Përpjekjet për të nxjerrë prodhimin të parët shpërblehet në çmim. Prodhimi i vreshtit të rritur në sera, është më i hershëm se ai në terrene të hapura. Në këtë rast, vlera e tij ështe dyfish më e lartë se rrushi që tregtohet në Korrik. Madje, sipas këtyre fermerëve, të cilët kanë eksperiencë nga italia, sasia e prodhimit të vreshit në sera është shumë e lartë.
Sipërfaqet e mbjella janë të pakta krahasuar me serat perimore. Edhe pse këto të fundit, momentalisht kanë probleme të shumta, kryesisht me çmimin, hapja e serave me vreshta ka tërhequr krahun e punës. Asnjë nga kultivuesit e vreshtit në sera nuk ka dalë fitues në skemat subvencionale të këtij viti në Lushnje.
Gjithçka që ata ndërtojnë i kanë shpenzime nga xhepat e tyre. Shpresat se çmimi fillestar do të mbulojë shpenzimet e deritanishme janë të mëdha. Prodhimi pritet të jetë gati për treg pas datës 10 Qershor dhe është i gjithi i kontraktuar për eksport dhe jo për tregun vendas. /abcnews.al