Vrau të fortin e Tiranës, gjykata liron “Gjeneralin” Prokuroria e mban në qeli

schedule13:25 - 15 Shkurt, 2019

schedule 13:25 - 15 Shkurt, 2019

Ndërsa Gjykata e Korçës vendosi lirimin e menjëhershëm të njeriut që vrau të fortin e Tiranës Naim Zyberi, është prokuroria ajo që nuk po ekzekuton vendimin. Burime të besueshme i thanë ABC News se prokuroria e Korçës ka gjetur pasaktësi në vendimin e gjykatës, të tilla që e bëjnë të pamundur nxjerrjen e urdhrit të ekzekutimit dhe lirimin e Gjinararit.

Këtë të premte Gjinarari do ishte duke shijuar lirinë, nëse Prokuroria e Korçës nuk do të refuzonte të nxirrte urdhrin e ekzekutimit. Gjykata e Korçës ka vendosur të lirojë nje nga emrat me të dëgjuar të botës së krimit.

I dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e të fortit të Tiranës Naim Zyberi në Itali në vitin 1997, Gert Gjinarari, është në pritje për të lënë qelitë e burgut të Drenovës.

45 vjeçari fitoi nga gjykata e Korçës lirinë me kusht. Pas ekstradimit nga Italia, gjykata e Tiranës la në fuqi vendimin me burgim të përjetshëm të gjykatës së vendit fqinj.

Gjyqtari i çështjes  Markelian Kuqo, ka vendosur të pranojë kërkesën e Gjinararit për liri me kusht, vendim i marrë në 14 shkurt, gjatë një seance që zgjati pas orarit zyrtar, duke urdhëruar lirimin  e menjëhershëm të tij nga qelitë e Drenovës.

Gjyqtari Kuqo, e ka arsyetuar pranimin e kërkesës për liri me kusht, duke zbatuar ligjin e kohës kur është transferuar Gjinarari në Shqipëri, sipas të cilit kjo kategori të dënuarish, përfitojnë liri me kusht, pasi kanë vuajtur jo më pak se 25 vite burg dhe për arsye të jashtëzakonshme.

Nderkohë që me ligjin e ri të ndryshuar neë vitin 2017, koha për të përfituar liri me kusht është bërë 35 vite.

Në vendimin e gjykatës që disponohet nga ABC News, Gjykata argumenton se Gjinarari plotëson kriteret për të përfituar liri me kusht, pasi konsiderohet i rehabilituar në raport me veprat penale për të cilat është shpallur fajtor, ka normalizuar marrëdhëniet me trashëgimtarët e viktimës si dhe për sjellje shembullore në burg.

Por kërkesa e Gjinararit për liri me kusht, është kundërshtuar nga Prokuroria, e cila pritet të apelojë vendimin e gjykatës së shkallës së parë.

Edhe pse gjykata urdhëroi lirimin e menjëhershëm të Gjinararit, Prokuroria e Korçës ka refuzuar ekzekutimin e urdhrit, duke e lënë ende pas hekurave 45 vjeçarin.

Burime konfidenciale i thanë ABC News se Prokuroria ka konstatuar pasaktësi në vendimin e gjykatës, të tilla që e bëjnë të pamundur nxjerrjen e urdhrit të ekzekutimit dhe lirimin e Gjinararit. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!