Vrau kolegun në komisariat, policit 25 vjeçar i gjenden ilaçe depresioni, zbardhet dëshmia: Si nisi sherri

schedule11:19 - 24 Maj, 2022

schedule 11:19 - 24 Maj, 2022

Të tjera detaje janë zbardhur nga ngjarja e rëndë që ndodhi mbrëmë në komisariatin numër 3 në Tiranë ku efektivi 25 vjeçar Ludjan Zaimi vrau kolegun e tij Çaush Saliasi.

Gazetarja Xhensila Kodra raporton se në dëshminë e tij 25 vjeçari ka deklaruar se kolegu e ka bullizuar dhe ofenduar në mënyrë të vazhdueshme, që prej një viti e gjysmë kur ai kishte filluar punë në këtë komisariat.

Zaimi ka pohuar se të dy kanë shkuar rreth orës 21:20 minuta në punë. Rreth gjysmë ore para se të marrin shërbimin janë konfliktuar verbalish. Debati sipas autorit ka nisur pasi është ofenduar nga viktima.

Ai ka pohuar po ashtu se i ka kërkuar efektivit 55 vjeçar që gjërat mes tyre të sheshoheshin. Prej një viti kur Zaimi ka ushtruar këtë profesion kanë qenë në disa raste të ndryshme dhe shërbime që të dy i kanë kryer së bashku. “Herë pas here jam trajtuar keq nga kolegë. Më ka fyer e ofenduar vazhdimisht”, ka thënë polici 25 vjeçar.

Pavarësisht sherreve që kanë pasur me njëri tjetrin, sipas të dhënave të grupit hetimor,  në asnjë moment 25 vjeçari nuk është ankuar për problematikat mes tyre. “Kolegët kanë qenë në dijeni të faktit se kanë pasur konflikte në lidhje me bullizimet ndaj 25 vjeçarit”.

Në lidhje me ngjarjen janë marrë në pyetje familjarët e të dyja palëve. Dyshohet se Zaimi mund të ketë pasur çrregullime të shëndetit mendor, pasi në shtëpinë e tij janë gjetur disa ilaçe depresioni gjatë kontrolleve të ushtruara nga policia. Po punohet nga ana e hetimit për të konfirmuar nëse vuante apo jo nga depresioni. Sipas ligjit nëse një polic kurohet për depresion s’duhet të kryejë shërbim.

Polici i vrarë kishte një karrierë 20 vjeçare në policinë e shtetit. Ai është qëlluar me 6 plumba pistolete pas një konflikti të çastit, që vinte si pasojë e sherreve të vazhdueshme që autori ka pasur me viktimën.

Sipas deklarimeve të autorit, gjithçka ka ndodhur pasi ndjehej i bullizuar nga ana e viktimës.

/abcnews.al