Nis hakmarrja mes familjes Skëndaj dhe Rrapaj në fashtin Kuqar të Patosit. Të enjten i është vënë flaka shtëpisë të autorit të vrasjes së dyfishtë, Martin Skëndaj.
Këtë të premte kamera e ABC News shkoi në Kuqar dhe mësoi nga banorët se familja Skëndaj nuk ka pësuar gjë pasi pas ngjarjes së 19 dhjetorit janë marrë në mbrojtje nga shteti. Ata shtojnë se konfliktin duhet ta mbylle shteti.
2 javë pas vrasjes së dy të rinjve ka nisur hakmarrja mes familjeve Skëndaj dhe Rrapaj në Kuqar të Patosit. Pas vrasjes së Manol Rrapaj dhe Elis Kapaj, të enjten është shkrumbuar banesa e autorit, Martin Skëndaj.
Ky veprim ka alarmuar policinë që prej dy javësh mban nën mbikëqyrje shtëpinë. E pavarësisht kësaj një apo disa persona kanë mundur t’i venë flakën. Të tronditur duken dhe fqinjët e tyre që thonë se familjet duhet të bisedojnë se konflikti do të vijojë, në të kundërt të ndërhyjë shteti.
Pas ngjarjes së rëndë familjarët e Martin Skëndaj janë marrë në mbrojtje nga policia.
Familja Skëndaj po jeton në fshehtësi. Fqinja e tyre tregon për lidhjen e dy të rinjve.
“Duheshin që përpara martesës së vajzës dhe vazhdonin akoma. Kanë shkuar shumë bashkë”.
Kjo histori e pamundur dashurie përfundoi në tragjedi në 19 dhjetor.
Oborri i poliklinikës së Patosit u la me gjak. Martin Skëndaj kishte vajtur për ndihmë mjekësore. Hetimet zbuluan se krimi i rëndë ndodhi për shkak të një lidhje dashurie që motra e gardianit kishte me viktimën Manol Rrapaj.
Skëndaj u konfliktua me Elis Kapaj dhe Manol Rrapaj dhe në debat e sipër, ai qëlloi për vdekje me armën e shërbimit dy të rinjtë duke i lënë të vdekur./abcnews.al