Vrasjet në autobusin në Gllogjan, pse njëri nga të dyshuarit u la në arrest shtëpiak?

schedule17:51 - 11 Janar, 2022

schedule 17:51 - 11 Janar, 2022

Malsor Mehmetajt i është zëvendësuar masa e paraburgimit me atë të arrestit shtëpiak, ndërsa babait të tij Halilit dhe vëllait Kreshnikut i është vazhduar paraburgimi edhe për dy muaj. Të tre u arrestuan në dhjetor të vitit 2021, nën dyshimet për vrasjen e trefishtë që ndodhi më 26 nëntor në Gllogjan të Deçanit.

Sipas mbrojtjes së Malsor Mehmetajt, Taulant Broqi, arsyeja e zëvendësimit të masës së paraburgimit me atë të arrestit shtëpiak ishte se në natën kritike klienti i tij ka qenë në punë.

“Naten kritike klienti im ka qenë në punë”, tha Broqi për Express, duke kërkuar që të mos i bëhen pyetje shtesë pasi tha se nuk flet më shumë për rastin.

Vendimi në fjalë është marrë nga Gjykata Themelore në Pejë, propozuar nga prokurorja e çështjes.

Lidhur me këtë vendim, Express ka tentuar ta marrë një deklaratë nga prokurorja Sahide Gashi por e njëjta nuk është përgjigjur. Përgjigje nuk ka kthyer as zyra për informim e Prokurorisë Themelore të Pejës.

Ende nuk dihen motivet e vrasjes së shoferit të autobusit Gani Gjokaj dhe dy nxënësve Ledion Hamzaj dhe Genta Mustafaj./Express