“Vrasjet më 21 janar u urdhëruan nga lart”, Gjiknuri: Sot kallëzojmë në SPAK, Berishën, Bashën e Prendin

schedule10:33 - 25 Janar, 2023

schedule 10:33 - 25 Janar, 2023

Përmes sekretarit të përgjithshëm Damian Gjiknuri, PS njoftoi sot se do të dorëzojë padinë në SPAK për të hetuar vrasjet e 21 janarit në Bulevard.

Në një konferencë për mediat nga selia e PS, Gjiknuri tha se provat e reja kanë dalë në shesh dhe organet e drejtësisë nuk mund të flenë më mbi këtë dosje.

“PS do të depozitoj sot një kallëzim në SPAK për shtetasit, Sali Berisha, Lulzim Basha dhe Ndrea Prendi për kryerjen e veprave penale të vrasjes në rrethana të tjera cilësuese referuar ngjarjes së 21 janarit 2011. Dialogjet e tregojnë qartë se vrasjet u urdhëruan nga lart dhe u përgatitën me gjakftohtësi kriminale. Ne e kemi drejtuar gishtin tek Sali Berisha menjëherë pas ngjarjes tragjike! Nuk besoj të ketë patur qytetar që në mos atë ditë, në ditët, javët e muajt pasues, të mos e ketë kuptuar se urdhëruesit e këtyre vrasjeve ishin Sali Berisha e Lulzim Basha”, tha Gjiknuri, ndwrsa theksoi se faktet e reja të bëra publike në media tregojnë qartë se urdhrat për të shtënë me armë zjarri ndaj protestuesve janë dhënë nga funksionarë të lartë shtetërorë. “Atë që të gjithë e dinim dhe e treguam me gisht, drejtësia e kohës zgjodhi të mos e shikonte, besonte po as dhe ta hetonte! Për fat të keq, edhe drejtësia e re është treguar deri më tani e pafuqishme për të hequr pluhurin e harresës mbi këtë dosje e për të zbardhur plotësisht këtë krim! Prova e re e bërë publike në media nga gazetari Artan Hoxha, përmban të dhëna mbi fakte të reja që nuk i janë nënshtruar ndonjëherë hetimeve e gjykimeve të mëparshme. Në dinamikën e komunikimeve, rezulton qartë se janë dhënë urdhëra për të shtënë me armë zjarri ndaj protestuesve, urdhra të cilët nisin nga persona të tjerë, funksionarë të lartë shtetërorë”, deklaroi ai.

Gjiknuri thekson se përfshirja e ministrit Lulzim Basha në komunikim me radio rezulton e provuar katërcipërisht dhe ky fakt krijon dyshime të arsyeshme bazuar se ndërhyrja e tij në lidhje të drejtpërdrejt me efektivin e gardës është bërë me porosi për të dhënë urdhrin e Sali Berishës, i kallëzuari tjetër, si personi më i fuqishëm në atë kohë.

“Nga deklarimet e bëra publike para dhe pas ngjarjes, të të kallëzuarit Sali Berisha, ish-Kryeministër, krijohet bindja përtej çdo dyshimi se ai vet ka qenë në drejtimin e veprimeve të Gardës nëpërmjet komunikimit direkt me të kallëzuarit Lulzim Basha dhe Ndrea Prendi.  Provat e reja janë vendimtare tashmë, e të mjaftueshme për të ndryshuar vendimin e Gjykatës së Apelit për Ndrea Prendin pasi nuk kemi të bëjmë me një “Vrasje nga pakujdesia” por me një “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”. Po sipas këtyre provave, janë krijuar kushtet e mjaftueshme për të regjistruar nga SPAK të një procedimi penal ndaj Sali Berishës dhe Lulzim Bashës për veprimet e kryera në 21 Janar.  Partia Socialiste i kërkon Prokurorisë së Posaçme të zhvillojë hetime konkrete, gjithëpërfshirëse ndaj të kallëzuarve si dhe personave të tjerë të përfshirë në vrasjen e katër shtetasve”, shtoi ai.

Gjiknuri i bën thirrje organeve të drejtësisë që t’i shkojnë deri në fund zbardhjes së kësaj ngjarje dhe vendosjes para përgjegjësisë të urdhëruesve të vrasjes së 4 protestuesve të pafajshëm në bulevard.

“SPAK duhet të zbulojë pse Sali Berisha dhe Lulzim Basha ishin në krye të operacionit të Gardës në 21 Janar kur NUK e kanë për detyrë ligjore për të bërë një gjë të tillë!? SPAK duhet të zbulojë se kush ishte autoritet i lartë nga i cili Ndrea Prendi priste dhe mori urdhra!?  SPAK duhet të zbulojë kush dhe pse ja nxiu syrin Komandantit të Gardës!?Partia Socialiste e Shqipërisë nuk është pushtet gjyqësor!  Qeveria nuk është trupë gjykuese dhe as Kryeministri nuk është prokuror! Për 12 vjet kemi mirëkuptuar këdo, që gishtin e përgjegjësisë për mos zbardhjen e ngjarjes e ka drejtuar edhe tek Partia Socialiste, në kushtet kur drejtësia ka zgjedhur të tallet me drejtësinë ndërsa urdhëruesit dhe vrasësit ia kanë hedhur paq! Ne besuam tek drejtësia e re, ishim nismëtarë dhe garantë të Reformës në Drejtësi, por nuk mund të vazhdojmë të mbajmë mbi kurriz hijen e zhgënjimit të atyre që duan drejtësi për 21 Janarin! Provat e reja janë të mjaftueshme! Të dyshuarit kanë emra dhe mbiemra konkretë! Organet e drejtësisë nuk mund të flenë më mbi këtë dosje gjaku. Duhet vepruar tani, çdo ditë e humbur është vonë. Prandaj i bëjmë thirrje prokurorisë që të marrë në vlerësim të gjithë provat e reja dhe ta çojë deri në fund këtë çështje për interesin publik”, deklaroi Gjiknuri./abcnews.al