Katër shqiptarë janë vrarë në Greqi në harkun e dy javëve. E ftuar në emisionin “Mbrëmje Ide” nga Mirela Milori, deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, ngushëlloi familjarët e tyre dhe tha se ata janë vrarë për shkak të disa ekstremistëve në Greqi.
“Unë dua të shpreh trishtimin e thellë për familjet shqiptare që kanë humbur jetët e njerëzve të tyre në Greqi për shkak të disa sulmeve fashiste nga ekstremistë në Greqi. Është e rëndë që të flasim për humbje jetësh në këto kohë, por mendoj se është momenti për t’i kërkuar autoriteteve greke të hetojnë këto ngjarje”, tha Spiropali.
Më 25 Nëntor u vra Petrit Zifle, 63 vjeç. Policia greke arrestoi autorin e krimit, i cili është një 44-vjeçar banor i zonës. Sipas asaj që shkruajtën mediat greke, autori është një anëtar i partisë naziste “Agimi i Artë”. Për rastin në fjalë reagoi Ministria e Punëve të Jashtme ku bëri thirrje për një hetim të plotë në funksion të zbardhjes tërësore të rrethanave të ngjarjes.
Ndërkohë të martën u vra 18-vjeçari shqiptar, Marios Isak, në Kavalla. Mediat greke bënë të ditur se autori është një shqiptar, shok fëmijërie me viktimën. Ai e pranoi vrasjen pas arrestimit, por sqaroi se e kishte bërë gabimisht./abcnews.al