Vrasja, arrestohet bashkëpunëtori/ Durrës, pranga 25-vjeçarit. Ndihmoi djalin të hedhë trupin e të atit në pus

schedule10:12 - 5 Shtator, 2024

schedule 10:12 - 5 Shtator, 2024

Esmerald Balla, 30-vjeçari që vrau të atin, nuk ka vepruar i vetëm në fshehjen e krimit të rëndë.

Policia ka vënë në pranga bashkëpunëtorin e tij, Edison Brahaj, i cili dyshohet se e ka ndihmuar autorin të transportojë me makinë trupin e 62-vjeçarit nga vendi ku u vra me arme zjarri në pusin ku u gjet nga efektivët.

Mësohet se 25 vjeçari është mik i Esmerald Ballës.

Ky i fundit e ka pranuar krimin dhe ka dëshmuar në polici se e vrau të atin pas konfliktit për kursimet e përbashkëta në vlerën e afro 75 mijë eurove.

Ne kemi një fermë të vogël dhe aty punonim të dy me babanë dhe pjesëtarët e tjerë të familjes. Unë po ndërtoj një shtëpi të re pranë asaj që jetojmë dhe punimet kishin ecur shumë mirë. Neve në shtëpi nga puna disavjeçare kishim një sasi afro 75 mijë euro. Ditën e ngjarjes shkova të merrja lekët pasi sipërmarrësi i punimeve kërkoi pagesën por shoh se në kasafortë mungonin 75 mije eurot. Kasaforta ishte dëmtuar me mjete të forta. Ishte hapur. Babai nuk mu përgjigj se ku ndodheshin lekët. Aty nisëm të debatonim”.

Pas konfliktit 30 vjeçari pretendon se i ati e ka kërcënuar me armë.

Unë të vras me tha dhe mori pistoletën dhe ma drejtoi. Në një moment iu afrova dhe u zumë me duar. Në momentin që u përpoqa t`ia hiqja nga dora pistoletën ajo u shkreh. Kur u shkreh arma dhe pasi pashë që babai ishte qëlluar mu shemb bota pasi nuk doja që të ndodhte kështu. Më kapi paniku. Nuk dija çfarë të bëja. Kisha frikë të denoncoja krimin në polici edhe pse ishte aksident. E mora trupin në makinë dhe kemi një pus diku 1 mijë metra larg shtëpisë. Pas dy ditësh e denoncova babain të zhdukur në polici. Lajmërova edhe vëllezërit. Iu thashë që babai ka ikur nga shtëpia”.

Pavarësisht dëshmisë ka dyshime se 30 vjeçari kursimet e përbashkëta të familjes mund t`i ketë marrë vetë dhe për të mbuluar vjedhjen ka fajësuar e vrarë të atin.

Paratë ende nuk dihet ku janë ndërsa në dhomën e të riut policia gjeti kasafortën bosh të dëmtuar dhe të hapur me sende të forta.

Ngjarja i ka tronditur banorët e Shënavlashit të cilët atë e bir i njihnin si njerëz të qetë e jo konfliktualë.

Rrethanat e vrasjes vijojnë të hetohen nga autoritetet ndërsa në pyetje janë marrë edhe anëtarët të tjerë të familjes Balla.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!