Vrasja në Kamzë, viktima shok i Erigers Mihasit që u ekzekutua në Astir

schedule22:47 - 23 Dhjetor, 2021

schedule 22:47 - 23 Dhjetor, 2021

Krimi ka goditur sërish mbrëmjen e sotme. Plumbat i morën jetën një 30-vjeçari të quajtur Can Kariçi në Kodër Kamëz. Dyshohet se viktima është ruajtur dhe më pas ekzekutuar me psitoletë sapo ka ndezur makinën në rrugën “Nikoll Vatnikaj”.

Burime për ABC, bëjnë me dije se viktima ka qenë me precedent të mëparshme penale, konkretisht në fushën e krimeve kundër personit. Viktima është qëlluar brenda një makine me targa të huaja të cilën e përdorte për të lëvizur.

ABC ka siguruar pamjet nga vendi i ngjarjes, ku zona shihet e rrethuar nga policia. Dyshohet se viktima është qëlluar me armë zjarri të pajisur me silenciator, pasi nuk janë dëgjuar të shtëna në zonë.

Can Kariçi 30-vjeç me origjinë nga Dibra, mësohet se ishte banues në lagjen Nr.1 Bathore. Ndërkohë një makinë tip “Audi” është gjetur e djegur në Institut, disa kilometra larg vendit të ngjarjes.

Të njëjtat burime bëjnë me dije se Can Kariçi ishte shok me Erigers Mihasin. Ky i fundit bashkë me Armand Dumanin, u vranë me breshëri kallashnikovi brenda një makine Audi të bardhë në lagjen e Astirit.

Po ashtu viktima e sotme raportohet të ishte mik edhe me Vis Martinajn, një emër ky i lakuar shpesh herë në botën e krimit.

Ndërkohë raportohet se Can Kariçi, në shkurt i janë vënë prangat pasi ka qenë i dyshuar për vjedhje.

Kjo pasi në ambientet e lokalit ku u arrestua u sekuestruan edhe targa të vjedhura që u përkisnin automjeteve të tjera. Këto targa dyshohet se do të përdoreshin në ngjarje kriminale. Bashkë me të në atë periudhë u shoqëruan edhe pesë persona të tjerë./abcnews.al/