Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për Vladimir Kurtin dhe Ruzhdi Hodën. Ata dyshohet të jenë autorë të grabitjes së marketit në Kamëz ku u vra pronari Agim Buci dhe u plagos bashkëshortja e tij, Merita.
Këta janë Vladimir Kurti dhe Ruzhdi Hode, dy të dyshuarit si autorë të grabitjes së një marketi në Kamëz mbrëmjen e 25 Prillit, ku u vra pronari Agim Buci dhe u plagos bashkëshortja e tij. Të hënën ata dolën për herë të parë në gjykatë në lidhje me krimin e konsumuar në sytë e fëmijës së mitur të çiftit.
Me kërkesë të Prokurorisë, gjykata caktoi për ta masën e sigurisë “arrest në burg” për akuzën e “vjedhjes me armë me pasojë vdekjen” dhe “mbajtje pa leje të armëve luftarake”. Veprimet hetimore të prokurorisë dhe ruajtja e sekretit u bënë shkak për një seancë me dyer të mbyllura.
Sipas burimeve, në sallën e gjyqit, dy të arresturit nuk kanë dhënë shpjegime të hollësishme. Ata kanë pranuar akuzën dhe shfaqur pendesë, ndërsa janë shfaqur konfuzë në lidhje me ekzekutorin, duke tenduar t’i referohen njëri-tjetrit.
Ndërsa prokurorja e çështjes, ka pretenduar se hetimi i deritanishëm ka provuar pëfshirjen dhe bashkëpunimin e tyre në krim. Prokurorja ka rindërtuar skenën e krimit, veprimet e kryera nga dy të arrestuarit para dhe pas ngjarjes dhe ka nënvizuar faktin se personi që ka qëlluar mbi Agim Bucin është i dyshuari Vladimir Kurti.
Kurti dhe Hode u shoqëruan nga policia vetëm pak minuta pas ngjarjes. Pas marrjes në pyetje ata u lejuan të largohen, pa ditur se veprimet e tyre po mbaheshin nën vezhgim dhe se në mjetin “Volsvagen” të përdorur prej tyre në ngjarjes ishte vendosur një transmetues satelitar. Përgjimi i lejuar i komunikimeve mes tyre i dha organit të hetimit të tjera prova. Pas ndalimit nga policia, Hode ka pranuar krimin.
Ai rrëfeu organizimin dhe lumin ku kishin hedhur sendet personale, mes të cilave një pistoletë, që ende nuk është gjetur nga policia. Kurti ka rezistuar gjatë marrjes në pyetje, por pas ballafaqimit me disa prova është thyer duke pranuar pjesëmarrjen e tij në ngjarje./abcnews.al