Vrasja në ish-Bllok, burg pa afat për Ervis Martinajn

schedule17:22 - 19 Nëntor, 2018

schedule 17:22 - 19 Nëntor, 2018

Gjykata e Apelit e Tiranës pranoi kërkesën e Prokurorisë për të lënë në burg pa afat Ervis Martinajn. Biznesmeni Martinaj u arrestua pas ngjarjes së 4 tetorit në ish-bllok, ku u vra Fabian Gaxha, u plagos ai vetë dhe shoku i tij, Eljon Hato.

Biznesmeni Ervis Martinaj do të hetohet në masën e sigurisë “arrest në burg” pa afat. Ai është një nga të dyshuarit e Prokurorisë së Tiranës për ngjarjen e 4 tetorit 2018 në zonën e ish-Bllokut, ku u vra Fabian Gaxha, u plagos ai vetë edhe shoku i tij Eljon Hato. Masa e re e sigurisë ndaj Martinajt caktua mengjesin e së martës nga Gjykata e Apelit Tiranë. Kolegji Penal vlerësoi të drejtë ankimin e bërë nga Prokuroria kundër vendimit të Shkallës së Parë për izolimin e tij në qeli për vetëm për 30 ditë.

Ndryshe nga shqyrtimi në Shkallën e Parë, Prokuroria ia doli të bindë trupin gjykues se ekzistojnë dyshime të bazuara në prova për përfshirjen e Martinajt në ngjarje. Në vendimin e 4 nëntorit Gjykata e Tiranës vuri në dyshim disa nga provat e Prokurorisë. Ajo konstatoi mospërputhje të përfundimit të akt-ekspertimit që përcaktonte nëse ishin gjetur apo jo gjurmë baruti në duart e Martinajt, si edhe shifra të ndryshme IMEI për të njëjtin aparat celular në dy akte të ndryshme.
Ndër provat kryesore të paraqitura nga prokuroria ne Apel, mes dhjetra akt-ekspertimesh balistike, kimike apo ADN-je janë të dhënat e përfituara nga aparati që i është sekuestruar Elvis Martinajt.

Mes një morie të dhënash të rikuperuara nga ky aparat telefonik “Iphone” nga ana e ekspertëve izraelitë, foto, video dhe komunikime me SMS apo aplikacionet e shkëmbimit të mesazheve, Prokuroria ka veçuar bisedat pak para ngjarjes, ku ai u kërkon disa djemve të afrohen me armë. I dyshuari nuk ishte prezent në sallën e gjyqit, ku përfaqësua me dy avokatë. Në përfundim të seancës, avokatët shmangën kontaktin me përfaqësuesit e medias. Aktualisht Martinaj po hetohet për gjashtë vepra penale, mes të cilave edhe ajo e “vrasjes në rrethana cilësuese”, mbetur në tentativë./abcnews.al