Vrasja në burgun e Peqinit/ Reagon ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja: Pse urdhërova vendosjen në regjimin 41 bis të Sokol Mjacajt

schedule17:59 - 15 Dhjetor, 2023

schedule 17:59 - 15 Dhjetor, 2023

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur këtë të premte në burgun e Peqinit, ku mbeti viktimë një i dënuar, Arben Lleshi, teksa një tjetër, Indrit Shaqja u plagos.

Për gazetarët, ministri Manja u shpreh se i dënuari Sokol Mjacaj, autori i ngjarjes brenda burgut, ka vuajtur dënimin në IVP Peqin dhe shtoi se urdhëroi vendosjen e Mjacajt në regjimin e posaçëm 41 bis, për ngjarje të tjera që lidhen me të.

“Nuk dua të cënoj asnjë element të hetimit, sepse, do të ketë, besoj, në orët në vazhdim, do të ketë një komunikim për opinionin publik, lidhur me ngjarjen e rëndë që ka ndodhur në Peqin. Sokol Mjacaj ka qenë duke vuajtur dënimin në IVP Peqin. Në IVP Peqin ka edhe regjim të posaçëm. Sot, ministri i Drejtësisë ka urdhëruar vendosjen në regjimin e posaçëm, për ngjarje të tjera që lidhen me të dënuarin Sokol Mjacaj. Ka një procedurë, për vendosjen e një personi në regjimin e posaçëm, jam i detyruar ta zbatoj sipas ligjit.

Edhe mënyra e komunikimit ka një procedurë të caktuar. Kjo është ajo që kam unë sonte për të komunikuar me ju. Mos më bëni pyetje që cënojnë hetimin. Unë jam këtu sonte, dhe do të jem edhe në ditët në vazhdim, për të nxjerrë përgjegjësitë administrative, përgjegjësitë penale i takojnë organeve të hetimit. Situata e rendit dhe e sigurisë në të gjitha burgjet tona është në kontroll. Sa i takon regjimit të posaçëm 41 bis, janë vendosur dy të parët, do të kemi të tjerë që do të vendosen në këtë regjim”, theksoi ministri Manja gjatë fjalës së tij./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!