Vrasja e Oliver Ivanoviç, Vuçiç përfshin edhe Tiranën

schedule23:00 - 3 Korrik, 2019

schedule 23:00 - 3 Korrik, 2019

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka përfshirë edhe Tiranën në skenarin për vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviç. Sipas Vuçiç, personi i dyshuar si autor i vrasjes ka përdorur aeroportin e Rinasit në Tiranë për t’u arratisur drejt Gjermanisë pas ekzekutimit.

Serbia thotë se e ka emrin e vrasësit të Olliver Ivanoviç, politikanit nga Kosova, i cili u ekzekutua në Mitrovicën Veriore. Ai ka përmendur disa emra dhe ka theksuar se Kosova është duke penguar bashkëpunimin dhe duke kryer hetime politike. Vuçiç ka thënë se organet serbe e dinë,  se e dinë se kush është emri i vrasësit. Por do të tregojë kur të ketë dëshmi, pasi ato i ka Kosova.

Aleksandër Vuçiç, president i Serbisë: “Pyes përse nuk na i japin videot nga aeroporti i Tiranës, Rinasi. Përse nuk mund të gjejmë dëshmi se çfarë ka bërë Florim Ejupi, i cili është nën vëzhgim në Gjermani dhe çfarë ka bërë ai në aeroportin e Tiranës, prej nga ka udhëtuar drejt Gjermanisë. Çfarë ka bërë Nexhmedin Zekaj, i cili ka ndërruar emrin e tij në Lirim Zekaj më pas? Këto janë të gjitha pyetje për të cilat ne nuk mund të marrim përgjigje”.

Presidenti serb i ka bërë këto komente pas takimit me kongresimenin amerikan Eliot Engel. Ai ka theksuar se një pjesë e këtyre dëshmive mund të jenë edhe në aeroportin e Tiranës.

Aleksandër Vuçiç, president i Serbisë: “Është akuzuar gjysma e botës, por ende nuk e dimë kush është ai që ka vrarë Olliver Ivanoviç, përse dhe për çfarë motivi. Përse nuk na thonë?”

Presidenti serb i ka shtruar këto pyetje edhe për bashkësinë ndërkombëtare dhe ka thënë se këto dëshmi i kërkon nga ta dhe jo shqiptarët. Vuçiç ka thënë se ka shumë dëshmi kontradiktore që nuk kanë mundur të verifikohen në mungesë bashkëpunimi. /ABC News Albania 24/7