Vrasja e nxënësit në Prishtinë, prokuroria: Ende s’ka të arrestuar për rastin

schedule14:34 - 1 Mars, 2022

schedule 14:34 - 1 Mars, 2022

“Vrasje e rëndë” është cilësuar vrasja e nxënësit 14-vjeç R.H., sot në Vranjevc të Prishtinës. Prokuroria Themelore e Prishtinës ka konfirmuar për Express se lidhur me rastin ende nuk ka të arrestuar.

Në një përgjigje për Gazetën Express, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës Laureta Ulaj, tha se janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore me qëllim të zbardhjes së rastit.

“Si pasojë e plagëve të marra nga një mjet i mprehtë (thikë), ka ndërruar jetë një të mitur (i moshës 14 vjeçare), ku vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor. Me urdhër të prokurorit, viktima është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për obduksion, derisa prokuroria në koordinim të plotë me policinë janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në drejtim të veprës penale “Vrasja e rëndë”, me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të këtij rasti”, tha Ulaj për Express.

Tutje, ajo tha se në këtë fazë të hetimeve nuk mund të japin më shumë detaje.

“Për shkak të ndjeshmërisë së kësaj çështje, si dhe zhvillimit të hetimeve, në këtë fazë nuk mund të japim detaje të tjera”.

Zëdhënësja Ulaj shtoi se në vendin e ngjarjes ka dalë “Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë Kujtim Munishi, prokurorja kujdestare e Departamentit të Krimeve të Rënda dhe e Departamentit për të Mitur, bashkë me njësitë e tjera relevante”.

Gazeta Express ka raportuar sot se R.H., 14-vjeç, u ther për vdekje në Vranjevc në një distancë jo të madhe nga shkolla “Hilmi Rakovica”, aty ku vijonte mësimet në klasën e 9-të. Sipas dëshmitarëve nga vendi i ngjarjes, 14-vjeçari u ther me thikë disa herë teksa po shkonte në shkollë./Express