Vrasja e biznesmenit Niko Goro në Himarë duket se lidhet me një konflikt pronësie. Policia arrestoi rreth një orë pas krimit autorin e dyshuar, Kliti Leka, 53 vjeç, banues në Tiranë.
Gazetari Elton Nika raporton se Goro së fundmi ishte duke ndërtuar një pallat në Himarë, ndërsa ka pasur konflikt për tokën.
Ndërkaq, autori i dyshuar është nip i personave me te cilën kishte konflikt për tokën Goro.
Ngjarja ndodhi mëngjesin e sotëm. Po ashtu e plagosur lehtë në këmbë ka mbetur motra e biznesmenit, 57 vjeçe, e cila ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Sipas policisë janë ngritur pika kontrolli në aksin rrugor Himarë – Borsh e Himarë – Vlorë.
Njoftimi i policisë:
Më datë 17.10.2020, rreth orës 08.55 minuta në vendin e quajtur rrethrrotullimi që të çon në lagjen Spille Himarë, nga një person ende i pa identifikuar është vrarë me armë zjarri shtetasi N.G, 51 vjeç. Si pasojë është plagosur lehtë në këmbë edhe shtetasja E. Q., 57 vjeçe, jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, janë ngritur pika kontrolli në aksin rrugor Himarë – Borsh e Himarë – Vlorë.
Në ndihmë të Policisë Vendore janë nisur forcat Operacionale dhe Shqiponjat e DVP Vlorë.
Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
g.v/abcnews.al