Vrasja e Marvi Mihalit, dëshmojnë prindërit

schedule15:58 - 3 Dhjetor, 2018

schedule 15:58 - 3 Dhjetor, 2018

Procesi gjyqësor ndaj 4 të akuzuar për vrasjen e 22-vjeçarit Marvi Mihali pas konfliktit për një karikues celulari vijoi të hënën me pyetjen e prindërve të viktimës. Pavllo dhe Fatmira Mihali hodhën akuza direkte drejt të pandehurve duke i kërkuar trupit gjykues drejtësi dhe dënim maksimal.

Prindërit e Marvi Mihalit, 22-vjeçarit të vrarë me thikë në Gusht të vitit 2017 në Tiranë, dëshmuan të hënën në gjykatën e kryeqytetit në procesin kundër katër të akuzuarve për krimin. Të pikëlluar nga humbja e djalit, dëshmitarët Pavllo dhe Fatmira Mihali, gjetën forcë të flasin për ngjarjen më të rëndë të jetës së tyre.

“Unë i kam humbur të gjitha”, tha babai i Mihalit, ish-rekordmeni i atletikës, Pavllo Mihali.

“Kriminelët më vranë djalin, investimin më të madh të jetës sime”.

Dëshmitari tha se kishte investiguar mbi të pandehurit dhe kishte mësuar se ata ishin kontigjent kriminal, ç’ka e ilustroi edhe disa postime të tyre në Facebook. Por gjykata ndërpreu dëshmitarin duke i kërkuar të fliste vetëm mbi dijeninë për ngjarjen. Ditën e ngjarjes dy bashkëshortët kishin qënë në Sarandë, por dëshmitari theksoi se kishte folur me dëshmitarët dhe parë videon e vrasjes, aktualisht e administruar si provë nga prokuroria.

“E kam parë me qindra dhe mijëra herë videon e vrasjes së djalit. Marvi në ngjarje vetëm ka ndarë Armend Haxhiun dhe Dejvi Bitrajn. Eugeni vjen nga disa metra larg me vrull, e godet dhe e hedh në tokë dhe më pas ia bën gati djalit të xhaxhait të tij, Dejvi Bitraj. E kanë qëlluar me thikë e më pas me shkelma. Dënimi duhet të jetë maksimal”, rrëfeu i tensionuar Pavllo Mihali.

Jo më pak e tronditur, nga tavolina e dëshmitarit, nëna e të ndjerit Mihali tha se këto kanë qenë muaj tmerri për të.

“Ata ishin përgatitur për të vrarë”, tha dëshmitarja Fatmira Mihali, duke iu referuar të pandehurve.

“Do vrisnin këdo që do u dilte para”.

“Kam besim tek drejtësia, vijoi dëshmitarja dhe sa të kem jete do luftoj, pastaj, po të jetë nevoja do kaloj në vetëgjyqësi. Askush nuk mund të dalë i palagur nga kjo histori”.

Në lidhje me vrasjen e 22-vjeçarit Mihali në Gjykatën e Tiranës po gjykohen të pandehurit Eugen e Dejvi Bitraj dhe Kridens e Marsel Alla. Sipas prokurororisë, vrasja ndodhi pas një konflikti të të pandehurve me një shok të Marvi Mihalit për një karikues telefoni celular. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!