Sondazh

Protesta e Berishës, si u soll policia?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Vrasja e Liridona Ademajt: Murseli e Plava dënohet me burgim të përjetshëm, Kokalla me 30 vjet

schedule13:53 - 21 Prill, 2026

schedule 13:53 - 21 Prill, 2026

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka dënuar të martën me burgim të përjetshëm Naim Murselin dhe Granit Plavën, ndërsa Kushtrim Kokallën me 30 vjet burgim, për vrasjen e Liridona Ademajt më 29 nëntor të vitit 2023.

Në fjalët përfundimtare në gjyqin ndaj tyre, Prokuroria ka kërkuar burgim të përjetshëm për ta, duke pretenduar se vrasja e 30-vjeçares, bashkëshorte e Murselit, ishte kryer në mënyrë të planifikuar.

Duke kundërshtuar akuzat e Prokurorisë, avokatët e të akuzuarve thanë se nuk ka prova të drejtpërdrejta se Murseli, Plava dhe Kokalla kanë kryer veprat penale.



Vëllai i Ademajt ka kërkuar burgim të përjetshëm për Murselin, Kokallën dhe Plavën, duke thënë se vrasja ishte e organizuar nga të akuzuarit dhe e ka lënë familjen në dhimbje të madhe.

Çfarë thanë para gjyqit Naim Murseli dhe të tjerët?
Në të dy deklarimet për akuzat që e ngarkojnë, Murseli ka mohuar fajësinë për vrasjen e Ademajt, duke thënë se nuk ka paguar, porositur apo ndihmuar në vrasjen e bashkëshortes së tij.

Ai pretendon se natën kritike familja ishte përballur me një grabitje, dhe se ai nuk ka qenë në veturë në momentin e vrasjes, duke e quajtur çdo akuzë ndaj tij si të pavërtetë. Ndërsa Plava nuk ka pranuar të deklarohet rreth fajësisë, por gjatë dëshmisë së tij ai ka thënë se veprimet i kishte bërë sipas marrëveshjes me Murselin, që ky vetëm ta merrte përgjegjësinë për rastin.

Ai pretendon se në momentin kritik vetëm dëgjoi krismën, dhe më pas iu tha të largohej nga vendi i ngjarjes, bashkë me armën që ishte kryer vrasja, duke pohuar se më pas kishte ikur me shpejtësi.

Kurse Kokalla, që fillimisht s’kishte pranuar të deklarohej, më vonë gjatë shqyrtimit ishte deklaruar i pafajshëm për rastin.

Gjatë dëshmisë së tij, ai ka mohuar përfshirjen në krim, duke theksuar se për ngjarjen kishte mësuar fillimisht nga mediat.

Si dyshohet se ndodhi vrasja?
Mbrëmjen e 29 nëntorit të 2023-ës, Liridona Ademaj u vra në një rrugë në fshatin Bërnicë të Prishtinës, teksa ishte në veturë bashkë me bashkëshortin Naim Murselin dhe dy fëmijët e tyre.

Aktakuza e ngarkon Murselin se kishte planifikuar vrasjen e saj, me qëllim që të përfitonte nga sigurimi i saj jetësor në Suedi, në vlerë prej rreth 260 mijë eurosh.

Kokalla akuzohet se e kishte njoftuar Murselin me Plavën, i cili akuzohet se ishte dorasi.

Plava akuzohet se kishte vrarë Ademajn me armë zjarri, duke e qëlluar në kokë, sipas ekspertit mjekoligjor, në një largësi prej 2 deri në 5 centimetra.

Sipas Prokurorisë, ai kishte kryer vrasjen në këmbim të 30 mijë eurove nga Murseli.

Mirëpo, gjatë gjyqit, Kokalla ka deklaruar se marrëveshja me Murselin, për ta marrë përgjegjësinë e vrasjes, ishte për 250 mijë euro, por që të mos përmendeshin shuma të mëdha ishin dakorduar që në Polici të përmendeshin vetëm 30 mijë euro.

Ndërkaq, prokurorja e rastit, Javorka Përlinçeviq, ka deklaruar gjatë shqyrtimit gjyqësor se Murseli e kishte mbajtur për krahu bashkëshorten e tij, që të mos i shpëtonte plumbit.

“…Naimi, në mënyrë dinake, me dorën e tij të djathtë, e ka mbajtur Liridonën për krahun e dorës së saj të majtë, me qëllim që ajo të mos i shmangej plumbit, pas çka, Naimi, me fëmijët, ka dalë nga vetura, dhe është larguar nga vendi i ngjarjes”, ka thënë prokurorja në nisje të procesit gjyqësor, më 31 janar 2025.

Pistoletën, me të cilën ishte kryer vrasja, Murseli akuzohet se e kishte blerë nga Tom Dodaj për 280 euro, në ditën e ngjarjes tragjike.

Ky i fundit ka pranuar fajësinë në fillim të procesit gjyqësor, ndërsa në shkurt të 2025-tës u dënua me pesë vjet burgim dhe pesë mijë euro gjobë për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.

Mirëpo, pas rreth një viti, Gjykata e Apelit ia uli dënimi Dodajt në tre vjet burgim dhe 3 mijë euro gjobë, duke përmendur si faktorë pranimin e fajësisë, kërkimfaljen ndaj familjes së viktimës, dhe faktin që “nuk kishte qenë në dijeni se për çfarë do të përdorej arma që kishte shitur”./rel

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!