Vrasja e kushërinjve në Laç, shpallen në kërkim 3 persona

schedule08:52 - 29 Prill, 2019

schedule 08:52 - 29 Prill, 2019

Policia ka shpallur në kërkim tre persona për masakrën e një nate më parë. Dyshohet se krimi ka ndodhur pas një sherri të momentit brenda në ambientet e një lokali në qytetin e Laçit.

Tre të rinj, dy prej tyre vëllezër, u shpallën në kërkim për përplasjen me armë, të ndodhur mbrëmjen e dielë në Laç. Sipas policisë, ata janë, Markel Bushi, 25 vjeç, i cili kishte qenë më herët person në kërkim pasi ishte dënuar me 12 vjet burg për grabitje dhe sulm ndaj policisë. Vëllai i tij M. Bushi, 23 vjeç dhe 28 vjeçari Viçens Bushi, kushëri i dy vëllezërve.

Paraprakisht thuhet se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti mes viktimave dhe autorëve, por ende nuk janë sqaruar plotësisht rrethanat. Dy të rinjtë ndërruan jetë në një spital privat në Tiranë, ku u dërguan të plagosur rëndë pas ngjarjes.

Kushërinjtë Kelvin dhe Erjon Jushi, përkatësisht 30 dhe 36 vjeç, u qëlluan me armë zjarri në një lokal në lagjen nr. 1 të qytetit të Laçit. Dy persona të tjerë janë plagosur gjithashtu nga të shtënat e armëve në këtë ngjarje, njëri nga të cilët në gjendje të rëndë.

Viktimat ishin në një ambient me autorët.

Një debat mes tyre nisi brenda lokalit, por vazhdoi dhe jashtë. Kushërinjtë tentuan t’u shpëtojnë vrasësve, por ata i ndoqën dhe i qëlluan me armë në brendësi të një rrugice.

Shërbimet policore kanë ngritur pika kontrolli dhe kanë shoqëruar disa persona, që mund të kenë dijeni për rrethanat e ngjarjes.

Pas sulmit me armë janë shoqëruar disa persona që kanë qenë në vendin e ngjarjes. Shërbimet policore po bëjnë kërkime nëpër lokale dhe banesa, ndërsa  janë ngritur postblloqe në rrugët se lidhin Laçin me zonat e tjera./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!