Gjykata e Posaçme nuk ka zhvilluar këtë të premte seancën paraprake ndaj shtatë personave të akuzuar për vrasjen e Klodian Saliut dhe Vajdin Lamajt.
Shkak për shtyrjen është bërë mos njoftimi i Plarent Dervishit që edhe pse u arrestua në Dubai, nuk u bë i mundur ekstradimi i tij drejt vendit tonë, dhe procesi do vazhdojë në mungesë. Përveç tij të akuzuar janë edhe Lulzim Berisha, Emiliano Shullazi, Viktor Ymeri, Indrit Taullai dhe Indrit Rusi.
Sipas avokatëve mbrojtes, Ilia Ilia që përfaqëson Dervishajn dhe Detar Hysin që mbron Lulzim Berishën, procesi është i montuar dhe dëshmitari i mbrojtur Luftar Rreçi është i pa besueshëm.
“Është vendosur një provë bazuar vetëm në deklarimet të një shtetasi të burgosur të dënuar me 25 vite burgim. Një mitoman. Po bazohen vetëm në deklarime. Kemi të bëjmë më një mitoman, mashtrues. Prej vitesh prokuroria ka hetuar me këto fakte dhe u kanë kthyer përgjigje individit që nuk është person i besueshëm. Nuk jemi në momentin e legjitimimit të palëve që të nisë procesi gjyqësor. Prokuroria ka vetëm thëniet e atij dhe asnjë provë. Ai ka dalë me probleme mendore. Besueshmëria e tij është tejet skandaloze”, tha avokati.
Në 8 dhjetor të 2020 SPAK njoftoi zbardhjen e 2 ngjarjeve kriminale të ndodhura 15 vite më parë ku fillimisht do të ekzekutohej Klodian Saliu dhe më pas me eksploziv Vajdin Lamaj dhe miku i tij Artan Arsi.
Zbulimi i personave të përfshirë në këto dy ngjarje do të bëhej përmes një prej të akuzuarve, Luftar Reçit që zbuloi emrat e personave të tjerë të përfshirë. Prokuroria ka ngritura akuzat e vrasjes me paramendim, armë mbajtje pa lejë dhe grup I strukturuar kriminal. /abcnews.al/


