Vrasja e Klodian Rashës, 140 punonjës të “Shqiponjave” në sitë

schedule15:44 - 16 Shkurt, 2021

schedule 15:44 - 16 Shkurt, 2021

Nga Xhensila Kodra

Pas vrasjes së Klodian Rashës nga polici Nevaldo Hajdaraj, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat nisi hetimin administrativ për efektivët e repartit “Shqiponja”.

Në sitë kanë kaluar 140 punonjës të kësaj njësie në kryeqytet. 10 prej tyre janë oficerë dhe pjesa tjetër operon si patrullë në lëvizje. Burime pranë SHÇBA-së pohuan për ABC se për disa prej tyre janë konstatuar pasaktësi dhe parregullsi në mënyrën se si kanë përpiluar procesverbalet gjatë kohës së kontrollove që kanë kryer në terren.

Një tjetër problematike ka qenë dhe raportimi jo i saktë për personat që kanë pasur në ndjekje. Gjithashtu hetimi i SHÇBA-së është fokusuar dhe te emërimet e efektivëve te reparti Shqiponja.

Ligji parashikon që duhet të kesh punuar minimalisht 2 vite në terren si pjesë e policisë së shtetit. Një tjetër kriter është dhe mosha, nuk pranohen pranë kësaj strukture ata mbi 35 vjeç.

Një tjetër problematike që ka hasur SHÇBA janë dhe denoncimet për dhunë nga ana e punonjësve të Shqiponjave ndaj qytetarëve.

ABC mëson gjithashtu se shumë efektivë nuk instruktohen para se të marrin shërbimin. Gjetjet e konstatuara për këta oficerë, nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat i janë venë në dispozicion Drejtorisë së Tiranës dhe asaj të Përgjithshme. /abcnews.al