Vrasja e Gentjan Bejtjas në Fushë-Krujë, identifikohet njëri nga autorët e dyshuar

schedule10:21 - 29 Gusht, 2024

schedule 10:21 - 29 Gusht, 2024

Policia e Shtetit ka identifikuar një nga autorët e dyshuar që kanë marrë pjesë në vrasjen e Gentjan Bejtjas në mars të këtij viti në oborron e banesës së tij në Larushk. Bëhet fjalë për 41 vjeçarin Florian Plakun nga Vlora, i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi dyshohet se është larguar jashtë vendit.

“Në vlerësim të provave dhe fakteve, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 1885 datë 26.07.2024 ka vendosur caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, në mungesë, ndaj shtetasit F. P., alias F. S., alias F. M., 41 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë, i dyshuar pë kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të parashikuara nga nenet 78, 25 dhe 278/1 të Kodit Penal.”, njofton policia.

Dinamika e ngjarjes 

Sipas dinamikës së zbardhur nga policia, autorët janë afruar tek banesa e Gentjan Bejtjas me automjetin “Land Rover Discover” të zezë dhe pas kryerjes të vrasjes, po me këtë automjet janë larguar në aksin rrugor Larushkë – Thumanë, pas kalimit të mbikalimit të Fushë Krujës, dhe në fshatin Hasan kanë djegur automjetin.

Më pas, ata janë larguar me një automjet tip “Volkswagen Golf” me ngjyrë të zezë, pa targë në pjesën e pasme, duke ndjekur intinerarin nga vendi i djegies së automjetit në drejtim të rrugës kryesore Thumanë-Fushë Krujë, kanë devijuar djathtas në mbikalimin e Fushë-Krujës dhe janë larguar në drejtim të fshatit Bubq.

Nga kamerat e sigurisë, është bërë i mundur identifikimi i automjetit tip “Volkswagen Golf” me targë AB960GG, në pronësi të Edison Haxhiu, 30 vjeç. Po kështu, ka rezultuar se ky automjet është përdorur edhe nga shtetasi Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi alias Ilir Mançellari, lindur në Milot, Kurbin dhe banues në Tiranë.

Më datë 19.03.2024, policia gjeti automjetin tip “Volkswagen Golf” në pronësi të shtetasit Edison Haxhiu dhe shoqërimin në ambjentet e policisë. Gjithashtu, në vazhdim të veprimeve hetimore, po në këtë datë u bë i mundur shoqërimi në ambientet e Policisë i shtetasit Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi alias Ilir Mançellari.

Gjatë kontrollit të banesës së Ilir Beqarajt janë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri pistoletë me mbishkrimin “ëalther” me tetë fishekë, një armë zjarri e markës “Benelli”, e cila mbahej me lejen e organeve të Policisë, një brez me njëzet e nëntë fishekë arme zjarri, pesë pajisje si ato të radiove marrëse-dhënëse, një pasaportë e Republikës të Kosovës në emër të shtetasit Kosovar B. A., e dyshuar e falsifikuar pasi fotografia është e ngjashme me fotografinë e shtetasit Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi alias Ilir Mançellari, një kartë identiteti e Republikës të Kosovës në emër të shtetasit Kosovar B. A., e dyshuar e falsifikuar pasi fotografia është e ngjashme me fotografinë e shtetasit Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi alias Ilir Mançellari, dhe 3 aparate celulare.

Më datë 19.03.2024 është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Ilir Beqaraj alias për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armeve shpërthyese dhe e municionit”, dhe “Falsifikimi i dokumentave”, si dhe ndalimi i Edison Haxhiu për veprën penale “Sigurimi i kushte dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!